Alarmohet Europa, avioni me një pasagjer të infektuar me hantavirus zbarkon në Amsterdam, transferohet menjëherë në spital
Nëntëmbëdhjetë trupa janë nxjerrë sot nga deti pas përplasjes së një avioni rus pasagjerësh me faqen e një shkëmbi, ku u vranë të gjithë 28 pasagjerët në bord.
Në pamjet e rënda të publikuara shiheshin mbetjet e shkatërruara të mjetit dhe sendet personale të pasagjerëve të shpërndara në bregdetin shkëmbor, pas përplasjes së djeshme kur avioni i afrohej tokës së uljes me mot të keq.
Grupe zhytësish po punonin për gjetjen e nëntë pasagjerëve të tjerë dhe ekuipazhit.
Zona e kërkimeve ishte zgjeruar pas një njoftimi se “mbetjet mund të jenë transportuar në një distancë të largët në det”.
Avioni i epokës sovjetike tip An-26 — i ndërtuar në 1982 — u përplas në shkëmbinjtë bregdetarë në Detin e Okhotsk teksa fluturonte nga kryeqyteti rajonal Petropavlovsk-Kamchatsky drejt fshatit të Palana.
Kompania fluturuese Kamchatka Aviation fajësonte erërat e forta për aksidentin dhe tha se po hetohen ende shkaqet e tij.
Guvernatori vendas Vladimir Solodov tha: “Trupat po nxirren nga uji, numrat e tyre shtohen. Trupi i avionit është gjetur në këtë kodër por pjesa më e madhe është në ujë. terreni është shumë i vështirë, helikopteri nuk mund të ulet aty”.
Sergei Gorb, kreu i aviacionit të Kamchatka tha se avioni ishte përplasur me shkëmbin bregdetar, që nuk duhet të ishte në trajektoren e tij të uljes.
Mes viktimave ishte nëna e tre fëmijëve Yulia Surovtseva, 43 vjeçe, e cila drejtonte një teatër kukullash në Palana.
Një tjetër ishte Ekaterina Ponikarova, 30 vjeçe, që kthehej në shtëpi nga pushimet.
Në avion ishte drejtuesja e administratës lokale të Palana, Olga Mokhireva, 42 vjeçe.
Dy zyrtarë të tjerë të Palana ishin mes viktimave, Alexander Andreykin, 44 vjeç, dhe bashkëshortja Olga Andreykina, 47 vjeçe.
Një vajzë gjashtë-vjeçare Alisa Khvaleyeva, ishte gjithashtu në avion, së bashku me 17 vjeçarin Artyom Tishchenko.
Avioni An-26 është prodhuar për transport civil e ushtarak por prej disa vitesh ka qenë objekt aksidentesh prej mangësive të mirëmbajtjes.
Në gusht një An-26 u përplas gjatë ngritjes në Sudanin e Jugut, ndërsa një muaj më vonë një tjetër u përplas me tokën gjatë uljes në lindje të Ukrainës duke vrarë 22 nga 28 njerëz në bord.
Top Channel