Rrëzohet avioni luftarak francez pranë Nancy-t, humb jetën një pilot, vijojnë kërkimet për anëtarin e dytë të ekuipazhit

21/10/2026 10:29

Një avion luftarak Mirage 2000-D i Forcave Ajrore Franceze u rrëzua rreth orës 23:00 të së martës në mbrëmje, pranë qytetit Nancy, në Francën verilindore, gjatë një fluturimi stërvitor.

Si pasojë e aksidentit, një nga dy anëtarët e ekuipazhit humbi jetën, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e personit të dytë.

Në bordin e avionit ndodheshin një pilot luftarak dhe një oficer i sistemeve të luftimit, i cili kryente edhe funksionin e navigatorit. Deri më tani, autoritetet kanë konfirmuar vdekjen e njërit prej tyre, ndërsa fati i anëtarit tjetër të ekuipazhit mbetet ende i paqartë.

Sipas kryetarit të bashkisë së komunës Pont-à-Mousson, Henri Lemoine, rrënojat e avionit u lokalizuan me ndihmën e një droni. Ndërkohë, dëshmitarët në zonë raportuan se kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe kishin parë një top zjarri në qiellin e natës.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar zjarrfikës, ekipe të specializuara të shpëtimit ajror, forca policore dhe një helikopter. Autoritetet po punojnë për të gjetur anëtarin e dytë të ekuipazhit dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Shkaqet e rrëzimit të avionit mbeten ende të panjohura, ndërsa hetimet për përcaktimin e tyre janë në vijim.

Mirage 2000-D është një avion luftarak me dy vende, i projektuar për sulme ndaj objektivave tokësorë, i cili hyri në shërbim në vitin 1993. Gjatë dekadave të përdorimit, ai ka marrë pjesë në disa prej operacioneve ushtarake ku është angazhuar Franca, përfshirë ato në Kosovë në vitin 1999, Libi në vitin 2011, si dhe në Afganistan, Irak, Siri dhe rajonin e Sahelit.

Historia e këtij modeli është shoqëruar edhe me aksidente të rënda. Në janar të vitit 2019, një Mirage 2000-D u rrëzua në lindje të Francës gjatë një fluturimi natën në lartësi të ulët, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe navigatorit.

Një tjetër aksident u regjistrua në korrik të vitit 2021, në zonën e Nancy-t, por në atë rast të dy anëtarët e ekuipazhit arritën të katapultoheshin në kohë.

Aksidenti i fundit rikthen vëmendjen te siguria e fluturimeve stërvitore dhe rreziqet me të cilat përballen ekuipazhet e avionëve luftarakë.

Top Channel