Skandali sjell dorëheqjen e menaxherit të Britney Spears pas 25 vitesh (fotot)

06/07/2021 16:53

Menaxheri që ka udhëhequr karrierën e yllit amerikan të muzikës pop Britney Spears, ka njoftuar se po dorëhiqet pas 25 viteve.

Larry Rudolph, i cili ka qenë me Spears që prej nënshkrimit të kontratës së parë muzikore të saj, ka thënë se “qëllimi i saj për t’u tërhequr zyrtarisht” ka nxitur edhe dorëheqjen e tij.

Por kritikët thonë se zhvillimi ka të bëjë me konfliktin e fundit të kujdestarisë ligjore të Spears nga i ati, qe prej krizës së saj mendore të vitit 2008.

Dy javë më parë këngëtarja i tha një gjykatësi në Los Angeles se ishte detyruar të performonte kundër dëshirës së saj.

Madje edhe dorëheqjen e tij Rudolph ishte i detyruar ta njoftonte me një letër për babanë-kujdestar të këngëtares, Jamie Spears, dhe bashkë-kujdestarin e tij Jodi Montgomery.

“Ka rreth dy vjet e gjysmë që unë dhe Britney kemi komunikuar herën e fundit, kur ajo më njoftoi se donte të shkëputej përfundimisht nga puna”, shkruante ai.

“Unë si menaxher i saj besoj se është në të mirën e Britney që unë të dorëhiqem pasi shërbimet e mia profesionale nuk janë më të nevojshme”.

Rudolph theksonte se ai nuk ka qenë kurë pjesë e kujdestarisë ligjore të vendosur ndaj Britney “prandaj nuk i njoh detajet e urdhrit, por jam shumë krenar për ato që ajo ka arritur në këto 25 vjet së bashku”.

“I uroj Britney shëndet e lumturi dhe jam i gatshëm sa herë që ajo do të ketë nevojë”, përfundonte ai.

Rudolph ka qenë menaxheri i Spears për thuajse të gjithë karrierën e saj, që kur mamaja Lynne Spears, i kërkoi të vlerësonte zërin e Britney.

Asokohe ai përfaqësonte gjithashtu yje të tjerë të mëdhenj të muzikës si grupin Backstreet Boys, Justin Timberlake e Jessica Simpson.

Por u impresionua aq shumë nga Britney asokohe 15 vjeçare, sa që i siguroi asaj kontratën dhe e drejtoi te fama me hitet ‘Baby One More Time’, ‘Ooops! I Did It Again’ dhe Toxic.

Rudolph ka përfaqësuar gjithashtu artistë si Miley Cyrus, Aerosmith e Pitbull, tha se vëmendja e medias ndaj çështjes së kujdestarisë ligjore të Britney ishte gjithashtu një faktor.

Në seancën gjyqësore të dy javëve më parë Spears akuzonte babanë për kujdestari “abuzive” gjatë së cilës pretendonte se i ishin dhënë mjekime me forcë dhe ishte detyruar të performonte kundër dëshirës.

Por megjithë mbështetjen e fansave të shumtë, gjykata vendosi të zgjasë kujdestarinë e të atit.

Një tjetër seancë për çështjen do të mbahet më 14 korrik. 14 July.

Lexi edhe: https://top-channel.tv/2021/07/01/megjithe-deshmine-shokuese-te-britney-spears-gjykata-refuzon-heqjen-e-patronazhit-te-babait-ndaj-jetes-se-saj-personale-fotot/

https://top-channel.tv/2021/06/24/me-ktheni-jeten-time-britney-spears-denon-patronazhin-ligjor-te-te-atit-ne-gjyq-fotot/

FOTO GALERI
2/5
Larry Rudolph ka thënë se "qëllimi i saj për t’u tërhequr zyrtarisht" ka nxitur edhe dorëheqjen e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA