Ankaraja ka vendosur të bllokojë importimin e mbetjeve plastike që bënte kryesisht nga Anglia dhe vendet e tjera të Europës si Gjermania dhe Polonia.
Ministria e tregtisë së Turqisë u shpreh se hoqi plastikën e polietilenit – të përdorura në çantat e pazarit dhe shumë forma të tjera paketimesh – nga lista e polimerëve të lejuar në vend që nga 3 korriku.
Ky lajm është mirëpritur nga organizatat aktiviste të mjedisit nëpër botë, si “Greenpeace”, që bënë thirrje se vendet e zhvilluara duhet të fillojnë të ngrenë kapacitete për t’i menaxhuar vetë mbetjet e tyre dhe jo t’i depozitojnë diku tjetër.
Ky ndalim i mbetjeve vjen pas pamjeve shqetësuese në pjesën jugore të Turqisë, në provincën Adana, ku nuk po bëhej riciklimi i duhur i mbetjeve plastike gjë që po shkaktonte një katastrofë mjedisore me plehrat që hidheshin në kanalet e ujërave, digjeshin buzë rrugës si dhe “male” të tëra të krijuara me mbetjet nga supermarketet e Britanisë dhe Gjermanisë.
Riciklimi i mbetjeve plastike duhet bërë brenda një muaji, përndryshe ato kthehen në produkte të degraduara dhe e vetmja formë për t’i eliminuar është djegia.
Turqia është shprehur se nuk kishte kapacitetet e duhura për të ndjekur procesin e riciklimit në mënyrë të rregullt dhe prandaj vendosi ta ndalojë tërësisht hyrjen e këtyre mbetjeve në vend, pasi kjo është në përputhje dhe me ligjet ndërkombëtare.
Të eksportosh mbetje plastike është ilegale vetëm nëse ato janë të destinuara për riciklim ose për djegie në inceneratorët të cilët i kthejnë në energji elektrike.
Turqia ka humbur kapacitetin për t’i ricikluar mbetjet plastike si dhe nuk ka investuar në inceneratorë, e në këtë mënyrë ka hequr dorë nga mbetjet plastike.
Turqia është destinacioni kryesor i Mbretërisë së Bashkuar për eksportet e mbetjeve plastike, duke marrë rreth 210,000 ton, ose 30% të totalit, në vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare, por ky trend pritet të ndryshojë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
Top Channel