Dhjetëra njerëz u mblodhën të dielen në një lagje në periferi të Prishtinës, prej ku nisën mini maratonën “Vrapo për Sindromën Doën”.
Kjo minimaratonë, pesë kilometërshe u organizua për nder të 4 korrikut – ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ideja dhe kënaqësia jonë ka qenë t’i falenderojmë Shtetet e Bashkuara për kontributin, për të gjitha të mirat që i kanë bërë për shtetin tonë me dekada, duke ruajtur atë miqësi të përhershme që e kemi qysh prej viteve ‘80-‘90, të trashëguara nga presidenti historik Rugova e më tutje deri në ditët e sotme. Prandaj ne kemi vendosur ta zhvillojmë këtë veprimtari pikërisht në këtë ditë dhe ne ndihemi krenar me ditën e pavarësisë e ndjejmë si ditën e pavarësisë së shtetit tonë”, tha një nga organizatorët, Burim Krasniqi.
Ai i tha Zërit të Amerikës se përfitimet nga shitja e numrave për pjesëmarrje, kësaj radhe do t’i dhurohen shoqatës së personave me sindromën doën.
“Këtë vit e kemi përzgjedhur këtë kategori. Ky edicion do të duhej të ishte i treti por është i dyti për shkak që vitin e kaluar nuk ka pasur shkaku i pandemisë. Vitin e parë e kemi përzgjedhur HANDIKOS-in, tash këtë kategori ndërsa vitet tjera me radhë do të përzgjedhim katëgori të tjera të margjinalizuara që t’i ndihmojmë më veprimtari të tilla”, tha ai.
Pjesëmarrësit ndërkaq thanë se e kanë për nder që duke ndihmuar të prekurit nga sindroma doën, të festojnë përvjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Secili nga ne ka obligim ndaj kësaj kategorie, andaj ne vetëm po e bëjmë më të paktën që mundemi për ta. Kështu që jashtëzakonisht ndihemi mirë dhe të nderuar që jemi prezent në këtë organizim”, tha një pjesëmarrës.
“Jam pjesëmarrës i shumë maratonave sa herë mbahen në Prishtinë, por edhe këtu për nder të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara – mikut tonë më të madh. Edhe pse jam në moshë por dal pa problem çdo herë”, tha një tjetër.
“Unë kam ardhur nga Zvicra për ta mbështetur këtë garë dhe jam shumë e gëzuar që mund të marr pjesë këtu”, tha një pjesëmarrëse në minimaratonë.
Në Kosovë 4 korriku zakonshëm shënohet me veprimtari të ndryshme meqë shqiptarët e çmojnë lartë rolin e Shteteve të Bashkuara për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e shtetndërtimin e saj.
Udhëheqësit politikë të Kosovës përgëzuan popullin dhe qeverinë amerikane duke vlerësuar lartë rolin e Shteteve të Bashkuara në historinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një urimi në rrjete sociale tha se “idetë dhe idealet më fisnike, besimi në liri, barazi dhe të drejta individuale, përfshirë të drejtën e çdo personi për të kërkuar lumturinë – që burojnë nga Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve, vazhdojnë të frymëzojnë popuj e individë anembanë botës”.
Këtë vit ambasada amerikane në Prishtinë organizoi ceremoni virtuale për të festuar ditën e pavarësisë, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë e COVID-19./VOA/
Top Channel