Një katastrofë po mbërthen Afganistanin – qytetarët e të cilit, përveçse të rrezikuar nga luftimet midis forcave qeveritare dhe luftëtarëve talibanë, po përballen edhe me përhapjen në rritje të sëmundjes COVID-19.
Zyrtarët shëndetësorë thonë se spitalet kanë mbetur pa shtretër të lirë, pa oksigjen dhe pa punëtorë mjekësorë. Për pasojë, ata detyrohen t’i kthejnë prapa pacientët e rinj.
Më 1 korrik, Ministria afgane e Shëndetësisë ka njoftuar se më shumë se 1 në 3 nga 5,506 testet e kryera në 24 orët e mëparshme, kanë qenë pozitive – gjë që tregon për një shkallë alarmante të infeksionit në vendin prej rreth 36 milionë banorësh.
Shifrat zyrtare në Afganistan tregojnë për rreth 120,000 të infektuar në total dhe më pak se 5,000 viktima nga koronavirusi.
Por, këto shifra thuhet se nënvlerësojnë ndjeshëm problemin, pasi miliona afganë kanë pak ose fare qasje në teste apo trajtime mjekësore.
Nematullah Abedi, nga rrethi Khinjan i provincës veriore Baghlan, thotë se të 15 anëtarët e familjes së tij janë sëmurë nga COVID-19.
“Ata janë sëmurë njëri pas tjetrit, me ethe, dhimbje fyti dhe lodhje ekstreme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Abedi, 40 vjeç.
Sipas tij, “situata është e njëjtë në të gjithë Khinjanin”.
Abedi i ka çuar disa anëtarë të familjes në spital, por jo të gjithë, për shkak të situatës së sigurisë.
Shumë nga fshatrat e Khinjanit kanë qenë të përfshira në luftime, derisa ushtria ka marrë kontrollin e të gjithë rrethit nga kryengritësit talibanë, më 25 qershor.
E nxitur nga varianti Delta, vala e tretë e sëmundjes COVID-19 ka goditur Afganistanin në fund të majit.
Në të njëjtën kohë, talibanët duket se janë inkurajuar nga tërheqja e forcave amerikane dhe trupave të tjera të NATO-s, pasi kanë përparuar në shumë pjesë të vendit.
Luftimet midis tyre dhe forcave qeveritare të sigurisë kanë detyruar shumë njerëz të ikin nga shtëpitë, duke i privuar pacientët nga çdo shans për të kërkuar trajtim apo edhe për të pushuar në shtëpi.
Zyrtarët thonë se së paku 8,000 familje në Baghlan janë zhvendosur nga luftimet në tri javët e fundit. Shumë prej tyre janë zhvendosur në kryeqytetin e provincës, Pul-e Khumri.
Qeveria lokale thotë se ka arritur të sigurojë strehim për vetëm 1,000 familje. Të tjerat kanë mbetur në rrugë, nën temperaturat e larta të verës dhe të rrethuar nga talibanët.
“Nusja ime ka qenë e sëmurë, ka pasur ethe, por në vend se të trajtohej, të gjithë ne është dashur të ikim kur ka nisur breshëria e plumbave”, thotë 70-vjeçari Amanullah, familja 7-anëtarëshe e të cilit ndan një shtëpi në Pul-e Khumri me dhjetëra të zhvendosur të tjerë.
Distancimi fizik ose ndjekja e protokolleve të tjera shëndetësore është e pamundur për shumë afganë.
“Tani edhe të tjerët po sëmuren”, thotë Amanullah.
“Në moshën time, unë nuk kam shumë forcë edhe pa [COVID-19]. Kur të plakeni ose jeni i sëmurë, dëshironi të qëndroni në shtëpi. Por, ne duhet të përballemi me mizoritë e koronavirusit, urisë, luftës. Thjesht, nuk e di se çfarë të bëj”, shprehet ai.
Të mbingarkuara me pacientët me COVID-19, shumë spitale po veprojnë përtej kapaciteteve të tyre dhe po i kthejnë prapa pacientët e rinj, thonë për Radion Evropa e Lirë mjekët në Pul-e Khumri, Herat dhe Kabul.
Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se rreth 80 për qind e të infektuarve trajtohen në shtëpi.
Qeveria i ka mbyllur shkollat, universitetet dhe vendet e dasmave, për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes. Por, pazaret e mbipopulluara mbeten të hapura.
Mjekët u bëjnë thirrje njerëzve që të veshin maska dhe t’i ndjekin masat e tjera parandaluese, por Qeveria e Afganistanit nuk i ka bërë ato të detyrueshme. Shumica e njerëzve i injorojnë rekomandimet.
Umedullah, një shofer taksie në qytetin veriperëndimor Andkhoj, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumica e klientëve të tij nuk mbajnë maska në fytyrë.
Ai thotë se “njerëzit mblidhen së bashku dhe ulen pranë njëri-tjetrit, pavarësisht se disa prej tyre kanë simptoma të COVID-19”.
Disa njerëz thonë se nuk kanë para për të blerë maska dhe lëng dezinfektues. Të tjerët thonë se “kanë hequr dorë”.
Rritja e çmimeve
Në Kabul, Herat dhe qytete të tjera, shumë njerëz ankohen për rritje të menjëhershme të çmimeve dhe mungesa të oksigjenit dhe ilaçeve.
Familjarët e pacientëve me COVID-19 shpesh presin në radhë me orë të tëra, për t’i mbushur cilindrat e tyre në stacionet e oksigjenit.
Disa thonë se mungesa e oksigjenit më të përballueshëm në objektet e Qeverisë – rreth 5 dollarë për një mbushje – i ka detyruar ata të paguajnë rreth 50 dollarë për t’i mbushur cilindrat e tyre diku tjetër.
Një banor i Kabulit i tha medias lokale se është dashur të shesë çdo send shtëpiak për të paguar oksigjenin për të afërmit e tij të sëmurë.
Në Herat, Elyas Noori, vëllai i një pacienti me COVID-19, thotë se familja e tij i shpenzoi të gjitha kursimet e saj për trajtimin e tij.
“Ka mungesë edhe të cilindrave të zbrazët”, thotë Noori.
“Qeveria duhet t’i kontrollojë çmimet, nuk duhet të lejojë që [shitësit] t’i rrisin çmimet ashtu siç dëshirojnë”, thotë ai.
Ebrahim Shinwari, udhëheqës i Administrimit të Barnave dhe Ushqimit, thotë për Radion Evropa e Lirë se agjencia e tij e ka situatën nën kontroll.
“U bëj thirrje njerëzve që t’i marrin faturat kur blejnë ilaçe dhe nëse mendojnë se ato janë e fryrë, ata duhet të kontaktojnë agjencinë tonë”, thotë Shinwari.
Autoritetet shëndetësore besojnë se vala e tretë tani ka arritur kulmin në Afganistan dhe presin që shifrat të nisin të bien në javët e ardhshme.
Ndërkohë, normat e vaksinimit mbesin të ulëta në këtë vend. Deri më tash, atje janë dhënë vetëm një milion doza.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara është zotuar se do t’i dhurojë Afganistanit tre milionë vaksina Johnson&Johnson, që jepen me nga një dozë. SHBA-ja po i siguron Afganistanit edhe oksigjen, edhe pajisje të tjera mjekësore./REL/
Top Channel