Gjykatësit e vettingut u mblodhën këtë të mërkurë sepse ishte radha e prokurorit Ervin Karanxha për t’u përballur me të vërtetë.
Një javë më parë avokatët e prokurorit që nuk ishte i pranishëm në sallë, arritën ta shtyjnë procesin, ndërsa edhe në seancën e dytë për mbi 4 orë paraqitën pretendime dhe 8 kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve, pezullimin e procesit.
Por vettingu nuk është ndalur. Pas dështimit të përpjekjeve dy avokatët e prokurorit që mungonte në gjyqin ndaj tij, u larguan. Trupa e gjyqtarëve të vettingut ka lexuar gjetjet e hetimit të kryer dhe sipas gjetjeve, prokurori Karanxha ka probleme serioze me pasurinë dhe paratë. Ai rezulton se ka një bilanc negativ, domethënë ka shpenzuar më shumë se sa ka fituar ligjërisht. Për pjesën e parave të pashpjeguara vettingu kërkoi sqarime. Probleme serioze ka edhe në deklarimet e pasurive të tij dhe ato që ka së bashku me bashkëshorten.
Ervin Karanxha është bashkëshorti i ish gjykatëses Bernina Kondi e cila u shkarkua disa muaj më parë sepse edhe ajo kishte probleme me pasurinë. Nga tre komponentët e hetimit, vetëm në pastërtitë e figurës, Karanxha del i përshtatshëm. Sepse në analizën e punës profesionale të tij si prokuror vettingu ka gjetur shkelje. Në ato pak dosje që janë shqyrtuar rezulton se në një rast, prokurori Karanxha ta favorizuar disa të hetuar dhe në vendimin e dhënë për ta ka gënjyer. Ata ishin arrestuar për dhënie ndihme të kalimit të paligjshëm të kufirit.
Karanxha ka kërkuar dënim minimal duke i favorizuar me arsyetimin se të arrestuarit ishin penduar dhe ishin moshë shumë e re. por në fakt vettingu zbuloi se të arrestuarit ishin nga mosha 38 deri në 47 vjec dhe në asnjë dokument të procesit nuk rezultonte të ishin penguar për krimin e kryer. Vendimi final për prokurorin Ervin Karanxha do të jepet më 7 korrik, në orën 9.30 minuta nga një trupë tjetër gjykuese.
Por nisur nga gjetjet, shkeljet flagrante, problemet serioze me pasuritë dhe paratë e pajustifikuara dhe në vendimeve për hetimet të faktuara si shkelje ligji, prokurori i Tiranës Ervin Karanxha do e shikojë veten të dëbuar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Deri më tani vettingu ka dëbuar shumë prokurorë e gjyqtarë që e kanë bërë pis drejtësinë, Karanxha duket se është një prej tyre.
Top Channel