Dronët nga Turqia vijnë së shpejti/ Kompania prodhuese do demonstrojë në Shqipëri mënyrën e përdorimit

30/06/2021 15:06

Shqipëria ka realizuar marrëveshjen për blerjen e dronëve super inteligjentë nga Turqia.

Burime qeveritare i thanë Top Channel se pajisjet fluturuese do të përdoren vetëm për qëllime civile dhe në ndihmë të policisë së shtetit. Një ditë më parë, mediet turke thanë se Shqipëria do pajisej me dronë të quajtur “SIHA”, të cilët mund të mbajnë edhe armatim.

Shqipëria do të marrë edhe dronët e quajtur “HIA” të prodhuar nga kompania “Bayraktar TB2”. Këto janë pamjet e dronëve të porositur nga qeveria shqiptare, si këta dronë u përdoren nga ushtria e Azerbaxhanit në konfliktin e armatosur në Nagorni Karabak me ushtrinë armene dhe falë këtyre dronëve Bakuja e fitoi luftën. Megjithëse marrëveshja nuk është bërë publike nga qeveria shqiptare, sipas medias turke, bëhet fjalë për blerjen e dy lloj dronesh të markave “SIHA” dhe “IHA”. Dronët SIHA janë të aftë edhe për të goditur me municion ushtarak objektiva të caktuar. Ndërsa dronët IHA janë prodhuar vetëm për vëzhgim dhe mbledhje të dhënash.

Burimet i thanë Top Channel se në javët në vijim planifikohet që kompania turke, të prezantojë dhe demostrojë në Tiranë, funksionin e këtyre dronëve të cilët kanë aftësi të qëndrojnë në qiell 24 orë.
Por përse qeveria ia dërgoi për miratim kuvendit shtesën prej 8 milionë e 200 mijë eurosh në llogaritë e ministrisë së mbrojtjes, e cila do të lëvrojë pagesën për këto paisje dronësh?

Të njëjtat burime qeveritare pohuan se kemi të bëjmë thjesht me një teknikalitet dhe jo blerje dronësh për qëllime ushtarake.

Top Channel