Rrëshqitje masive dherash dhe gurësh në aksin Kolonjë–Golem, rruga kthehet në rrezik për drejtuesit e mjeteve
Një aktivitet i paligjshëm në tregtimin e lëndëve piroteknike është zbuluar nga policia në Durrës, si pasojë është arrestuar një 18-vjeçar.
Ai dyshohet se shiste fishekzjarrë dhe kapsolla të kontrabanduara, si në dyqan ashtu edhe përmes internetit. Gjatë operacionit janë sekuestruar qindra artikuj piroteknikë, ndërsa një 24-vjeçar është proceduar penalisht pasi dyshohet se tentoi të largonte dhe fshihte një pjesë të tyre.
Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Goditet një rast i magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike të kontrabanduara.
Sekuestrohen qindra fishekzjarrë dhe kapsolla të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë zbuluar një dyqan në lagjen nr. 12, ku shiteshin lëndë piroteknike të kontrabanduara.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi R. C., 18 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se shiste në dyqan dhe online, fishekzjarrë dhe kapsolla të dyshuara të kontrabanduara, të cilat i magazinonte në banesë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. D., 24 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi është kapur afër banesës së shtetasit R. C., duke transportuar me automjet, fishekzjarrë dhe kapsolla që i kishte marrë nga kjo banesë, me qëllim për t’i fshehur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan qindra fishekzjarrë dhe kapsollë, të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, dhe 2 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel