Vonesa në dhënien e lejeve të hapësirës së plazhit/ Vijojnë konfliktet, pas vrasjes së 4 personave, digjen 60 shezlongë në Drimadhes

28/06/2021 08:06

Pas ngjarjes në Velipojë duket se një tjetër konflikt ka lindur në jug të vendit për shfrytëzimin e vijës bregdetare.

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 01:30 në Drimadhë janë e djegur 60 shezlongë të një biznesi të vogël që operonte në atë plazh.

Burime bëjnë me dije se djegia ka qenë e qëllimshme dhe shkak mund të jetë bërë konflikti  i mëparshëm midis bizneseve për shfrytëzimin  e vijës bregdetare ose konkurrenca.

Sipas burimeve shezlonget  kanë qenë në pronësi të 55-vjeçarit Bilbil Domi. Pasi kishte mbledhur shezlongët për t’i hapur ditën e nesërme, pasi  kishte marrë lejen e shfrytëzimit të plazhit, disa bizneseve fqinje të tjera nuk i ka pëlqyer kjo dhe dyshimet e para kanë qenë nga konkurrenca.

Më datë 28.06.2021, rreth orës 01:00, në Drimadhes, Dhërmi,  ka rënë zjarr dhe janë  djegur rreth 60 shezlongë në pronësi të shtetasit B. D.  Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, shkruan në njoftim policia.

Nga pamjet e marra ditën e sotme, në plazhin e bukur të Dhërmiut vërehet edhe hiri i mbetur nga djegia e çadrave dhe shezlongëve gjatë mbrëmjes.

Vonesa e pashpjegueshme e Ministrisë së Turizmit  për të dhënë lejet e hapësirës së plazhit po krijon konflikt mes pronarëve të bizneseve në zonën bregdetare të vendit, ku jo vetëm po digjen shezlongë e krijohen sherre, por po merren edhe jetë njerëzish.

Top Channel e ka ngritur para disa ditësh këtë problematikë që po prek bizneset, ku disave po u jepet leja, kurse të tjerëve jo, por akoma nuk është gjetur një zgjidhje ndërsa jemi në fund qershori dhe sezoni turistik është hapur.

Kur Velipoja numëron mijëra pushues, në gjithë zonën për momentin vetëm 1 subjekt ka lidhur kontratën me ministrinë ndërsa të tjerat janë lenë në pritje.

2 prej viktimave të konfliktit në Velipojë, Kujtim Ferracaku dhe punonjësi 20-vjeçar Myzerim Zeneli

Ngjarjet  e fundit kanë sjellë pakënaqësi për turistët vendas e të huaj të cilët kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet

Kujtojmë se konflikti për hapësirën e plazhit solli humbjen e 4 jetëve një ditë më parë, mes tyre biznesmeni i njohur i zonës, Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit  Xhovani Gocaj e Edmond Gocaj dhe punonjësi i hotelit, Myzerim Zeneli, i cili kishte qenë në ditën e parë të punës, që rezultoi dita e fundit e jetës së tij. Kurse të plagosur mbetën dy persona, Hasan Ferracaku dhe Elmilind Dyli, të cilët janë arrestuar.

FOTO GALERI
1/12
Pamje nga Velipoja ku u vranë 4 persona pas konfliktit

Top Channel