Pasojat e pandemisë/ Bizneset në Kosovë kërkojnë mbështetje nga qeveria

21/06/2021 20:31

Përfaqësues të bizneseve dhe deputetë nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të ndihmojë bizneset me mjete financiare, në mënyrë që të rikuperohen pasojat e shkaktuara nga pandemia.

Zyrtarë të qeverisë thonë se tashmë janë në përgatitje të një pakoje të re ekonomike.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se Kosova nuk ka arritur që të ndihmojë bizneset për të rikuperuar humbjet ekonomike, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor siç janë Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Sipas tij, pakoja emergjente ka përmbushur rolin e saj, por tashmë vendi ndodhet në një situatë tjetër dhe kërkesat e bizneseve kanë ndryshuar.
Tashmë kanë ndërruar edhe nevojat e bizneseve. Nuk është se ka kërkesa nga të gjithë sektorët për ndihmë të drejtpërdrejtë financiare. Më shumë tashmë duhet të fokusohet tek ata sektorë që mund të kenë një potencialë të rritjes, siç është rasti me sektorët apo kompanitë që kanë potencialë për eksport. Ka shumë kërkesa për shkathtësitë e fuqisë punëtore dhe kërkesa për projekte në fushën e efiçiencës së energjisë dhe digjitalizimit”, tha Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka ndihmuar bizneset me një pako emergjente fiskale në vlerë prej 180 milionë eurosh. Kjo pako u prezantua menjëherë pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus dhe masave të izolimit.
Kurse në fund të vitit 2020, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, që arrinte vlerën e 222 milionë eurove. Ky ligj ka për qëllim sjelljen e favoreve për bizneset dhe lehtësimin e gjendjes financiare pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Zbatimi i këtij ligji, nga qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka filluar në janar të këtij viti dhe nga kjo vlerë për bizneset, sistemin e shëndetësisë, për skemat sociale, arsim dhe kulturë janë shpenzuar rreth 100 milionë euro.

Me zgjedhjen e qeverisë se re, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, në muajin mars të këtij viti, u tha se Ligji për rimëkëmbje nuk është zbatuar për shkak të, siç u tha, “kostos së lartë buxhetore dhe rishikimit të ligjit”.

Edhe subjektet opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që bizneset private të trajtohet me seriozitet pas vaksinimit të qytetarëve dhe kthimin në normalitet pas pandemisë, sepse pakot e deritanishme të rimëkëmbjes, kanë qenë të pamjaftueshme për zhvillimin e aktivitetit të tyre biznesor.
Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga qeveria që sa më shpejtë të bëhet rishikimi i buxhetit dhe Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, në mënyrë që të fillohet të shpërndahet ndihma për bizneset.

Kosova, sipas tij, qëndron larg vendeve të rajonit sa i përket ndihmës financiare.
Maqedonia e Veriut i ka miratuar gjashtë pako, me afër 900 milionë euro për bizneset. Qeveria e Republikës se Shqipërisë rreth 13 miliardë lekë (mbi 1 miliard euro) kontribute për ekonominë, Qeveria e Malit të Zi ka ndihmuar bizneset dhe qytetarët e saj në shumë prej një miliard eurosh”, ka deklaruar Hamza.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë krijuar politika buxhetore dhe kanë përdorur stimuj buxhetorë për të luftuar rënien ekonomike dhe për t’u dhënë mbështetje familjeve dhe bizneseve. Sipas Bankës Botërore, pas fillimit të pandemisë, Qeveria e Serbisë ka shpallur paketën më të madhe të asistencës për ekonominë dhe qytetarët, me një ndikim të drejtpërdrejtë në buxhet prej 6.7 për qind të Bruto Produktit Vendor, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 3.3 për qind, 2.9 për qind të BPV Kosova, 1.6 për qind Bosnja dhe Hercegovina dhe me 1 për qind të Bruto Produktit Vendor bizneset i ka ndihmuar Mali i Zi./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA