Bashkim Shehu: Në shkrimet e mia janë përfshirë elemente të jetës suaj po aq sa të jetës sime

21/06/2021 17:05

Bisedoi Andreas Dushi

A. D: Meqë edhe ju vetë, sikurse thatë, keni shkruar në burg, cili është mendimi juaj për “letërsinë e burgut”, atë të shkruar nga të dënuarit politikë që Visar Zhiti e quan “Letërsia e Realizmit të Dënuar”?

B. Sh: Është një fenomen kompleks, veçanërisht nga pikëpamja psikologjike. Por, nëse do të shprehesha përmbledhtazi, për mua kryefjala e këtij fenomeni është guximi, ngaqë rrezikoje të ridënoheshe në burg. Nuk po flas dhe aq për veten time, sepse, në periudhën kur kam qenë i burgosur, ridënimet në burg ishin rralluar, ndonëse edhe mua m’u vërtitën që të më ridënonin për agjitacion e propagandë, veçse duke u nisur nga gjëra të tjera që bëja, dhe nuk më ridënuan kur isha në burg, por më nxorën nga burgu, më çuan në internim dhe mbas njëfarë kohe më burgosën prapë. Më anë tjetër, sidomos në vitet shtatëdhjetë ridënimet në burg për agjitacion e propagandë kanë qenë të shpeshta.

Dhe, të shkruaje në atë periudhë, ishte si të ngacmoje djallin. Shkrimet mund të përdoreshin për të tilla ridënime jo vetëm nëse kishin përmbajtje politike: mund të dënoheshe për çfarëdolloj teksti letrar. Kështu, kur u arrestua në burgun e Burrelit Pjetër Arbnori, përdorën kundër tij një roman që kishte shkruar dhe që ia gjetën. Ky tekst kishte si temë dashurinë, përshkruante një festë datëlindjeje të rinjsh në Tiranë dhe nuk kishte përmbajtje politike, me sa më ka treguar një bashkëvuajtës që e kishte lexuar.

Ndërsa një sërë tekstesh që ishin alegori politike dhe që Pjetri i kishte maskuar si përkthime, dhe subjektet i kishte degdisur në vende të tjera të botës, nuk u përdorën kundër tij dhe nuk ia sekuestruan. Madje, për një tregim të tij, që unë e kam lexuar ngaqë nuk ia sekuestruan dhe ngaqë shkëmbenim tekste tonat me njëri-tjetrin sikurse edhe me disa bashkëvuajtës të tjerë, – për këtë tregim, pra, që titullohej Kur dynden vikingët dhe që ishte një alegori kundër komunizmit, veçse komunizmit i vihej emri “nazizëm” dhe subjekti shtjellohej në Rajhun e Tretë, ndërsa autorësia i atribuohej shkrimtares komuniste gjermane Ana Seghers, hetuesit i thanë që pse shkruante vepra armiqësore si ai romani, në vend që të përkthente vepra si ajo e Ana Seghers-it. Pra, gjithfarë absurditetesh mund të ndodhnin, pavarësisht nga ajo që shkruaje. Prandaj them se, çfarëdo që të shkruaje, ishte si të ngacmoje djallin, ose të luaje bixhoz me djallin. Megjithatë, ka pasur njerëz që shkruanin edhe në ato kushte, aq i fortë ishte tundimi për të shkruar.

Prandaj, do të shtoja se, përveç guximit, ishte edhe një përkushtim i skajshëm ndaj letërsisë. Por, sigurisht, ajo që njoh nga historia e letërsisë në burgje është vetëm e pjesshme, ngaqë nuk kam ndërmarrë ndonjë studim, siç ka bërë Visari, me një qasje gjithpërfshirëse.

A. D: Është fakt se rebelimi moral i Niçes përbën fazën e pjekurisë së tij. Për ta vënë në të njëjtin kontekst, mendoni se momenti kur edhe në ju ndodhi një rebelim moral ndaj pushtetit të kohës, lidhet pikërisht me fazën e pjekurisë tuaj si shkrimtar?

B. Sh: Në rastin tim, rebelimi moral ndaj pushtetit fillon shumë më herët se pjekuria artistike si shkrimtar. Fillon afërsisht në kohën kur u ndërgjegjësova se doja t’i kushtohesha letërsisë. Ndërsa në fazën e pjekurisë së këtij rebelimi moral mendoj se hyra gjatë periudhës së burgut dhe ajo përkon me fillimin e pjekurisë artistike. Por, si njëra pjekuri, edhe tjetra, nuk kanë fund. Është, për të dyja, një proces që vazhdon.
Vijon…

Top Channel