Futbollistja britanike padit Pornhub pas shfaqjes së videos private, personale pa miratim (fotot)

18/06/2021 21:44

Futbollistja britanike Leigh Nicol është një nga më shumë se 30 femra që kanë paditur pronarët e rrjetit të pornografisë Pornhub – për shfaqjen e videove të seksit pa miratimin e protagonisteve.

Mesfushorja e skuadrës londineze Crystal Palace e lindur në Skoci, është një nga tre gratë britanike mes paditëseve.

Ajo thotë se kur ishte 18 vjeçe kishte regjistruar një video të vetes duke bërë seks, që më vonë ishte vjedhur nga një hakerim masiv i të dhënave në rrjetin iCloud dhe video e saj përfundoi në rrjetet e pornografisë.

Tashmë 25 vjeçare, Nicol tha për mediat se trazira psikologjike vijon ta ndjekë: “Edhe sot e shikoj veten në fytyrë dhe ndjehem keq sepse diçka private nuk është më private për mua. Ndjej se askush nuk do të dojë të jetë bashkëshorti im i ardhshëm, pasi këto video janë të lidhura me mua”.

Rrjeti pornografik Pornhub ka një audiencë ditore prej 130 milionë përdoruesish, por Nicol thotë se nëse video hiqet prej andej, do të shfaqet në një rrjet tjetër.

Në fillim të vitit ajo shpërndante abuzimin online që kishte marrë prej videos, teksa shkruante: “Unë nuk i shfaq këto gjëra pasi nuk dua që fëmijët të shikojnë abuzimet.”

Sipas raportimit 14 nga 34 gratë e padive të këtij lloji, kishin qenë nën moshë kur janë regjistruar imazhet e postuara pa lejen e tyre.

Një prej akuzueseve thotë është trafikuar nëpër SHBA për t’u përdorur seksualisht pasi ishte “e pastrehë dhe e dobët”, në kohën e regjistrimit të imazheve të abuzimit.

FOTO GALERI
3/5
Ajo thotë se kur ishte 18 vjeçe kishte regjistruar një video të vetes duke bërë seks, që më vonë ishte vjedhur nga një hakerim masiv i të dhënave

Top Channel