Ballë për ballë: Presidenti amerikan Biden vendos “vijat e kuqe” për Putinin!

16/06/2021 15:49

Ishte Joe Biden ai që e kërkoi takimin e sotëm me Vladimir Putinin, dhe lëvizja e parë duket i takon pikërisht presidentit amerikan.

Shtëpia e Bardhë është përgatitur për përballjen e madhe duke përfshirë edhe partnerët europianë, veçanërisht Gjermaninë, tre vendet baltike, Poloninë, Republikën Ceke dhe Sllovakinë. Biden e ka bërë të qartë se cili është objektivi i tij në këtë takim: “Nuk kërkojmë konflikte, duam një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Rusinë, por Nëse Putin i vazhdon veprimet e tij armiqësore, do t`i përgjigjemi me të njëjtën monedhë”! Parashikohet që takimi të zgjasë 4-5 orë, e ndoshta mund të ndahet në dy pjesë.

Në pjesën e parë, Biden do të bëjë të qarta se cilat janë “vijat e tij të kuqe” të cilat homologu rus nuk duhet t`i shkelë më. Listë përfshin ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane apo në ato të shteteve të tjera aleate, sulmet kibernetike të hakerave, ofensivën ushtarake në Donbas në lindje të Ukrainës.

Po kështu do të përmende edhe Aleksei Navalnyn e do të kërkojë lirimin nga burgu të aktivistit që në fillim u helmua, e tani po lihet të dergjet në qeli. Me interes të madh pritet ndërkohë dhe pjesa e dytë e takimit, ajo konstruktive siç e quajnë. Sekretari i shtetit Anthony Blinken dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan këmbëngulin në minimin e lindjes së një aksi të mundshëm Moskë-Pekin, dhe testi më i rëndësishëm do të jetë kontrolli i armëve.

Biden pritet t`i propozojë shefit të Kremlinit krijimin e një grupi ekspertësh dhe nisjen e negociatave të vërteta për traktatin New Start. Moska nga ana e saj shpreson në një kthesë sa i takon marrëdhënieve me SHBA-në që janë në pikën më të ulët prej vitesh të tëra, edhe pse nuk ka pritshmëri shumë të mëdha.

Top Channel