Sulm vdekjeprurës kundër ekipit të vaksinimit në Afganistan

15/06/2021 14:54

Persona të armatosur sulmuan disa ekipe për vaksinim kundër poliomelitit në lindje të Afganistanit, duke vrarë së paku pesë punonjës shëndetësorë.

Ky është sulmi i dytë i tillë në zonë, në më pak se tre muaj.

Zëdhënësi i guvernatorit të provincës Nangarhar, Attaullah Khoqyani, i tha Radios Evropa e Lirë se përveç të vrarëve, janë edhe katër persona të plagosur.

Zëdhënësi i policisë provinciale, Farid Khan, tha se viktimat janë qëlluar në tre lokacione të ndryshme të provincës Nangarhar, brenda dy orësh.

Përgjegjësinë për sulmet nuk e ka marrë asnjë grup, por edhe militantët talibanë, edhe ata të grupit Shteti Islamik janë aktivë në zonë.

Në muajin mars, ekstremistët e Shtetit Islamik në Afganistan kanë thënë se kanë qëlluar dhe vrarë tri gra, të cilat kanë qenë pjesë e një ekipi të vaksinimit kundër poliomelitit në Xhalalabad – kryeqytetin e provincës Nangarhar.

Pavarësisht përballjes me valën e tretë të koronavirusit, Qeveria afgane ka bërë përpjekje të vaksinojë 9.6 milionë fëmijë kundër poliomelitit, me ndihmën e Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara – UNICEF.

Në vitin 2020, Afganistani ka raportuar për 54 raste të reja kundër poliomelitit.

Afganistani dhe Pakistani janë të vetmet vende në botë, ku poliomeliti vazhdon të jetë endemik.

Top Channel