Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të NATO-s në samitin me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, u pozicionuan qartazi kundrejt Rusisë dhe Kinës. Kancelarja Merkel nuk do ta „mbivlerësojë“ këtë.

Pas viteve të vështira NATO po tregohet e vendosur dhe krahas Rusisë ka vënë në shënjestër për herë të parë edhe Kinën si rivale strategjike. Por krahasuar me Rusinë, që është trajtuar gjerësisht në deklaratën prej 40 faqesh të samitit, Kina në thelb është trajtuar vetëm përmes dy paragrafëve.

Në të thuhet, se NATO është e shqetësuar për një „politikë të imponimit”, që është në kundërshtim me vlerat themelore të aleancës dhe ka të bëjë me sektorë, që „janë të rëndësishëm për aleancën”. Pekini po zgjeron shpejt arsenalin e armëve atomike dhe „bashkëpunon ushtarakisht me Rusinë”, ndër të tjera përmes pjesëmarrjes në stërvitjet ruse në hapësirën euro-atlantike.”

Për aq kohë sa Rusia nuk dëshmon, që respekton të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimet e veta, nuk mund të ketë ndaj Moskës një kthim në “business as usual”, deklaroi samiti dy ditë përpara takimit të parë mes Joe Biden me presidentin rus Vladimir Putin.

Kancelarja Angela Merkel pas takimit kërkoi një qëndrim të ekuilibruar në raport me Republikën Popullore të Kinës. Askush nuk duhet t’i „mbivlerësojë” vendimet e aleancës ushtarake lidhur me Kinën.

„Ne duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur”. Kina, sipas saj, është vërtetë rivale në shumë drejtime, por është njëkohësisht edhe partnere në shumë drejtime”tha Merkel.

Joe Biden kërkon një kurs të qartë ndaj Kinës

Ajo që tërheq vëmendjen është, se Kina me Rusinë në politikën e jashtme „kanë pjesërisht një ndërveprim të mirë dhe të koordinuar”. Gjithashtu aleanca ndjek aksionet hibride dhe kibernetike „si të Rusisë edhe të Kinës” dhe sheh në to „natyrisht sfida të reja”. E rëndësishme është, tha Merkel, që NATO të ofrojë një dialog, për të gjetur zgjidhje lidhur me temat e konfliktit.

Promotori i linjës ndaj Kinës është presidenti i ri i SHBA-së. Biden e sheh këtë vend si të vetmin konkurrent, që mund të jetë një sfidë e vazhdueshme për një sistem të qëndrueshëm dhe të hapur ndërkombëtar. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg tha, se: “Ne nuk hyjmë në një luftë të re të ftohtë dhe Kina nuk është kundërshtarja jonë dhe as armikja jonë.”

Merkel e cilësoi samitin si një fillim të ri. Sepse ndryshe nga paraardhësi i tij Donald Trump, Biden në Bruksel u shpreh qartë për aleancën dhe detyrimin për mbështetje të SHBA-së ndaj Europës. “Dëshiroj t’i bëj të qartë të gjithë Europës, që SHBA janë këtu”, tha Biden. Me këtë duket se grindjet pjesërisht të hidhura në vitet e presidentit Trump tashmë i përkasin së shkuarës.

Ndërkohë NATO ndodhet në valën e një debati për reforma në mënyrë që të përballohen sfidat e reja. Në konceptin e deritanishëm të strategjisë së përpiluar përpara vitit 2010, Kina nuk përmendet me asnjë fjalë. Koncepti i ri duhet të jetë gati më 2022. Përpara samitit të NATO-s më 2019 presidenti francez, Emmanuel Macron e quajti aleancën „me paralizë cerebrale”. Ky ishte një ndër shkaqet për debatin mbi reformat dhe fillimin e punës për një koncept të ri. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do që aleanca të bashkëfinancojë më shumë kapacitete dhe të modernizohet në aspektin e teknologjisë.

Një shqetësim në NATO mbetet Turqia. Presidenti i SHBA-së, Biden në kuadër të samitit u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Në bisedë me dyer të mbylluara duhet të jetë folur edhe për sistemin rus të mbrojtjes nga raketat. S-400, që Erdogan i bleu pavarësisht protestave të SHBA-së dhe NATO-s. Të dy politikanët nxorën një bilanc pozitiv të takimit mes tyre. „Jam i sigurt, që ne do të kemi përparime”, tha Biden lidhur me marrëdhëniet së fundi të tensionuara me Turqinë. Erdogani deklaroi, se të përbashkëtat dominojnë kundrejt mosmarrëveshjeve./DW

Top Channel