Presidenti Biden mbërrin në Gjenevë për takimin me Presidentin rus

15/06/2021 18:16

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden mbërriti në Gjenevë, ku nesër mban takimin e parë me homologun e tij rus, Vladimir Putin që kur mori detyrën.

Një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Biden u tha gazetarëve ndërsa Air Force One po ulej në Gjenevë se nuk parashikoheshin rezultate madhore nga takimi që po pritet me interes të madh.

Takimi mbahet mes përkeqësimit të marrëdhënieve midis dy fuqive botërore, që në një masë të madhe i atribuohet dyshimeve amerikane për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në takimin e NATO-s, Presidenti Biden i bëri thirrje Presidentit rus të heqë dorë nga aktet provokuese ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve.

Në një intervistë zoti Putin tha se lidhjet SHBA-Rusi kanë arritur në “pikën e tyre më të ulët në vitet e fundit”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se zoti Biden do të ngrejë shqetësimin për sulmet kibernetike, agresionin e Kremlinit ndaj Ukrainës, burgosjen e kundërshtarëve politikë dhe çështje të tjera. Të dy udhëheqësit pritet gjithashtu të flasin për stabilitetin strategjik bërthamor dhe marrëdhëniet e keqësuara mes Rusisë dhe Perëndimit.

Megjithë problemet e thella mes dy vendeve dy udhëheqësit pritet të diskutojnë rreth mënyrave për të normalizuar marrëdhëniet./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA