Biden lëshon paralajmërimin më të fortë për Putin: Po nuk bashkëpunoi… 

15/06/2021 12:04

Përpara takimit të tij me Vladimir Putin në Gjenevë të Zvicrës, presidenti amerikan i ashpërsoi tonet me homologun rus, si për t`i treguar se përballja e tyre nuk ka për të qenë e lehtë.

Biden i kërkoi shefit të Kremlinit të heqë dorë nga aktet provokuese ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve. Krerët e  NATO-s bashkuan zërat me Shtetet e Bashkuara duke e akuzuar zyrtarisht Moskën dhe Pekinin për veprime dashakeqe. Duket se presidenti amerikan, që u shfaq me një stemë të NATO-s në jakën e xhaketës, ka marrë mbështetjen e të gjithëve për planin e tij që t’i bëjë presion presidentit rus të ndalë sulmet kibernetike që e kanë origjinën në Rusi dhe vënë në shënjestër objekte dhe sisteme jetike për Perëndimin, si dhe t’i japë fund shtypjes së kundërshtarëve politikë dhe ndërhyrjet në zgjedhjet e vendeve të tjera.

“Do t’ia bëj të qartë Presidentit Putin se ka fusha ku mund të bashkëpunojmë, nëse ai është i gatshëm. Nëse ai preferon të mos bashkëpunojë, nëse vepron në të njëjtat forma si më parë lidhur me sulmet kibernetike dhe veprime të tjera, do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë,” ka thënë Biden. Vizita e tij tetë ditore në Europë po dëhsmohet gjithmonë e më qartë si një përpjekje për t’u siguruar se Perëndimi flet me një zë të vetëm përballë Rusisë dhe Kinës.

Krerët e NATO-s një ditë më parë dolën me deklaratën e përbashkët që e cilësonte Kinën si një sfidë të vazhdueshme për sigurinë, e cila përpiqet të minojë rendin ndërkombëtar që bazohet tek rregullat. Ata shprehën shqetësim lidhur me  “politikat e presionit” nga ana e Kinës si dhe praktika jo transparente në përpjekjet për të modernizuar forcat e saj të armatosura si dhe në përhapjen e dezinformimit. Aleatët gjithashtu dënuan aktivitetin provokues ushtarak të Rusisë dhe manovrat destabilizuese pranë kufijve të vendeve anëtare të NATO-s.

Top Channel