‘Ta nxjerr një herë dufin që kam’/ Maturantët korçarë në protestë: Prandaj të rinjtë duan të largohen nga Shqipëria

12/06/2021 12:58

Maturantët në Korçë janë ngritur në protestë ditën e sotme, pas provimit të Matematikës, të cilin e konsiderojnë shumë të vështirë.

Të revoltuar, ata shprehen se pyetjet ishin marrë nga interneti ndërsa kërkojnë uljen e pragut të pikëve dhe rivlerësim.

“Ta nxjerr një herë këtë dufin që kam. Fakti që është përkthyer nga gjuha angleze teza do të thotë që niveli i vështirësisë në këtë tezë dhe niveli i arsimit në dy vende të ndryshme është komplet ndryshe. Në dy vite që kemi bërë mësim online, më vështirë nga vitet e kaluar, nuk mundet që një lëndë të mësohet me 30 min ushtrime, në këtë rast matematike. Ushtrimet do ishin disa të thjeshta dhe disa mesatare, por niveli i vështirësisë në provim nuk kishte lidhje me asnjë ushtrim që ne kemi bërë.

Kërkojmë që të rivlerësohet teza ose të rritet pragu midis 9 dhe 10 që të marrim një notë të përafërt me ato që kemi pasur këto vite. Nuk mundemi që për një idiotësi të hartuesve të tezës të na shkatërrohen 12 vite shkollë”, shprehet një prej maturanteve tejet e shqetësuar për rezultatin e provimit të Matematikës.

Një tjetër maturante thotë se provimi ishte i një shkalle të vështirë dhe me ushtrime të pakuptueshme, duke shtuar se kjo është arsyeja për të cilën të rinjtë largohen jashtë, pasi këtu nuk vlerësohen ashtu si duhet.

“Provimi i matematikës ishte i një shkalle shumë të vështire, ushtrimet ishin të pakuptueshme. Kemi gjithë vitin që merremi me matematikë por nuk prisnim një tezë të tillë. Do thoja që prandaj të gjithë të rinjtë duan të largohen nga Shqipëria, sepse neve jashtë dinë të na vlerësojnë më shumë. Dinë të na vlerësojnë për atë që jemi, dhe jo për ushtrime të tmerrshme dhe pa pikë logjike. Jemi shumë të indinjuar, na u prish e ardhmja”.

FOTO GALERI
3/6

Top Channel