Samiti i G7 miraton planin e shpenzimeve për rivalizimin e influencës botërore të Kinës

12/06/2021 18:42

Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara të botës G7 kanë miratuar sot planin për mbështetje financiare infrastrukturore ndaj vendeve me të ardhura të ulëta ose të mesme, për të rivalizuar nismat e këtij lloji të Kinës.

Presidenti Joe Biden kishte thënë më herët se dëshironte që iniciativa e SHBA për Rindërtimin e Një Bote më të Mirë (B3W) të ishte një alternativë më e mirë sesa programi ndërkombëtar i Kinës “Një brez, një rrugë”, me të cilin ajo po financon ndërtimin e rrugëve, hekurudhave e porteve në shumë vende të botës.

Në deklaratën e samitit që po zhvillohet në rezortin britanik të Cornwall, liderët e G7 thanë se ata do të ofrojnë një partneritet “të udhëhequr nga vlerat, standardet e larta dhe transparenca”.

Por detajet financiare të planti të G7 mbeten ende të paqarta. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se grupi nuk është ende gati për të publikuar financat e iniciativës së saj.

G7 pritet të përfshijnë në planin e tyre strategji për ndalimin e pandemive të reja në botë.

Masat përfshijnë reduktimin e kohës së krijimit dhe shpërndarjes së vaksinave e mjekimeve të Covid-19.

Në sesionin e sotëm amerikanët ishin duke ngritur sfidën e tyre të parë zyrtare ndaj rritjes së influencës botërore të Kinës, e cila po pompon miliarda dollarë në vendet në zhvillim.

Zyrtarët e administratës së SHBA dëshirojnë të provojnë se vlerat perëndimore do të triumfojnë në botë, duke thënë se nuk është një sfidë kundër Kinës, por për dhënien e një alternative më pozitive për botën.

FOTO GALERI
2/3
Kina po financon ndërtimin e rrugëve, hekurudhave e porteve në shumë vende të botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA