Policia italiane tha sot se ka arrestuar një qytetar rumun pas një mandati ndërkombëtar arresti, si i dyshuar për vrasjen nga pakujdesia të 39 personave vietnamezë që po trafikoheshin ilegalisht në Britani.
28 vjeçari Stefan Damian Dragos, dyshohet se u ka dhënë trafikantëve kamionin e përdorur për trafikun e emigrantëve fatkeqë, që u gjetën të vdekur në karrocerinë e transportueses në tetor 2019, tha polica italiane.
I dyshuari ishte arrestuar në Cinisello Balsamo, në veri të Milanos, por policia nuk dha detaje të mëtejshme.
Zbulimi i një numri kaq të madh njerëzish të vdekur, dy prej të cilëve 15-vjeçare, shokoi si Britaninë dhe Vietnamin.
Rasti gjithashtu hodhi dritë mbi rrjetin e gjerë të trafikut ilegal botëror që sillte njerëz të varfër nga Azia, Afrika e Lindja e Mesme, në Perëndim, me anë të udhëtimeve ku u rrezikohej jeta.
Shumica e të vdekurve ishin nga provinca e Nghe An dhe Ha Tinh në veri të Vietnamit, ku varfëria, katastrofat mjedisore dhe premtimet e rreme për shpërblime financiare nxisin emigracionin masiv.
Në janar katër njerëz u dënuan me burgime të gjata në Britani për çështjen.
Top Channel