Trump përgëzon Nigerinë për ndalimin e Twitter-it

10/06/2021 03:36

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump përgëzoi Nigerinë për bllokimin e qasjes në Twitter për një kohë të pacaktuar, duke thënë se më shumë shtete duhet të ndjekin këtë shembull.

“Urime shtetit të Nigerisë, i cili sapo ndaloi Twitter-in sepse ata ndaluan presidentin e tyre. Më shumë shtete duhet të ndalojnë Twitter-in dhe Facebook-un për shkak të mos lejimit të fjalës së lirë dhe të hapur”, tha Trump në një deklaratë.

“Kush janë ata që të përcaktojnë të mirën dhe të keqen kur ata vetë janë të këqij?. Ndoshta unë duhet ta kisha bërë atë teksa isha president. Por, Zuckerberg vazhdimisht më telefononte dhe vinte në Shtëpinë e Bardhë për darkë duke më thënë se sa i mirë isha?”, u shpreh ai duke lënë të kuptohet një kandidim të dytë të mundshëm presidencial.

Nigeria të shtunën bllokoi Twitter-in pasi rrjeti social fshiu një postim të presidentit nigerian Muhammadu Buhari në të cilën ai kërcënoi secesionistët. Ish-presidenti amerikan është ndaluar nga Twitter-i dhe Facebook-u që nga janari pasi ai u kërkoi mbështetësve të tij të “ndalonin vjedhjen” dhe i quajti ata “patriotë të mëdhenj” në mes të trazirave të 6 janarit në Kongresin Amerikan.

Katër njerëz humbën jetën atë ditë në Kongres dhe një zyrtar policor vdiq të nesërmen pasi pësoi dy goditje në tru. Dy oficerë të tjerë të pranishëm gjatë trazirave kryen vetëvrasje pas kësaj. Pas ndalimeve nga rrjetet sociale, Trump nisi një blog fatkeq të quajtur “Nga Tavolina e Donald J. Trump”, por nuk arriti të tërhiqte vëmendje dhe u mbyll në më pak se një muaj.

Top Channel