Brazili shuan thashethemet, konfirmon pjesëmarrjen në Copa America

10/06/2021 00:59

Lojtarët e Brazilit janë kritikë ndaj vendimit për zhvillimin e Copa America-s në vendin e tyre, por nuk do ta bojkotojnë atë, siç ishte përfolur gjatë ditëve të shkuara në media. Konfederata amerikano-jugore e Futbollit Conmebol e zhvendosi më 1 qershor për në Brazil, turneun që ishte parashikuar për t’u zhvilluar në Argjentinë dhe Kolumbi.

Lojtarët u shprehën në atë kohë se për arsye të ndryshme, si humanitare ashtu edhe profesionale, ata nuk ishin të kënaqur me mënyrën se si Copa America ishte menaxhuar nga Conmebol. Mediat braziliane raportuan se skuadra nuk ishte aspak e kënaqur me faktin se nuk ishte konsultuar për këtë vendim, por në një komunikatë të fundit, lojtarët këmbëngulin se ata kurrë nuk e kanë marrë në konsideratë mundësinë që ta bojkotojnë eventin.

Komunikata e publikuar në rrjetet sociale të futbollistëve u shfaq vetëm pak pasi skuadra kishte mundur 2-0 Paraguajin në një ndeshje kualifikuese Botërore në Asuncion, një sukses ky që vinte pas plot 36 vitesh, pasi hera e fundit që Brazili fitonte në këtë vend datonte më 1985-ën. Brazili ka regjistruar më shumë se 475 mijë vdekje nga Coronavirusi, numri i dytë më i lartë në botë pas atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjithsesi presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka mbrojtur vendimin për të lejuar që turneu të zhvillohej në vendin e dytë, duke insistuar se kjo nuk sillte ndonjë kërcënim për shëndetin. Argjentinës ju hoq e drejta për të mikpritur kompeticionin vetëm dy javë para se ai të nisë, në 13 qershor me organizatorët që cituan si shkak koronavirusin dhe situatën e krijuar.

Kolumbisë ndërkohë i ishte hequr e drejta si vend bashkë-organizator që në 20 maj për shkak të trazirave civile atje. Turneu ku marrin pjesë 10 skuadra, do të nisë të dielën në orën 23:00 me atë shqiptare, me Brazilin që do të presë Venezuelën, takim që ashtu si të gjitha 28 ndeshjet e Copa America 2021 do të transmetohet drejtpërdrejtë në Supersport.

Top Channel