Biden shfuqizon dekretet e Trump-it për ndalimin e aplikacioneve TikTok dhe WeChat

10/06/2021 01:34

Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një dekret të ri me të cilin zhvleftësoi dekretet e paraardhësit të tij Donald Trump për të ndaluar aplikacionet me bazë në Kinë TikTok dhe WeChat në SHBA, duke porositur që të bëhen analiza “të bazuara në prova” të programeve dhe aplikacioneve të zhvilluara nga vendet rivale.

Sipas një deklarate me shkrim nga Shtëpia e Bardhë, Biden nënshkroi një dekret të ri, duke zëvendësuar dekretet e Trump-it në lidhje me aplikacionet WeChat dhe TikTok.

Në dekretin e ri, Biden urdhëroi institucionet përkatëse amerikane të kryejnë analiza “të bazuara në prova” nëse softuerët dhe aplikacionet e zhvilluara nga shtetet rivale të huaja paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Ndryshe, në vitin 2020, Trump nënshkroi një dekret për të ndaluar aplikacionet TikTok dhe WeChat në SHBA, me arsyetimin se përbënin kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit.

Megjithatë, dekreti i Trump-it u bllokua nga shumë gjykata të shteteve dhe dekreti nuk arriti të hynte në fuqi.

Top Channel