SHBA “tregon muskujt”: Dërgon “bishat” e qiellit përpara vizitës së Biden në Europë!

09/06/2021 15:53

Agjentët e shërbimit sekret amerikan mësynë gjirin e Carbis në Britani përpara mbërritjes së presidentit amerikan Joe Biden për samitin e G7, që mbahet këtë fundjavë në Cornwall.

Aq i madh është numri i ekipeve të sigurisë së shefit të Shtëpisë së Bardhë sa janë marrë me qira kampera për strehimin e tyre, pasi nuk ka struktura të mjaftueshme akomoduese. Më shumë se 50 vetura luksoze dhe 400 agjentë të Shërbimit Sekret prekën tokën në bazën ajrore St Mawgan përpara mbërritjes se Bidenit.

Dy helikopterë Sea King dhe tre mjete fluturuese ushtarake me ngritje dhe ulje vertikale, Osprey kanë fluturuar mbi zonë. Numri i madh i makinave bëri që trafiku mes Devon dhe Cornwall të paralizohej përkohësisht. Liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe Amerikës takohen në Angli për samitin e përvitshëm të G7.

Biden e nis pikërisht me samitin e G7-tës vizitën e tij në kontinentin e vjetër, që do të vazhdojë me një takim me Putinin në Gjenevë pas shumë takimeve me aleatët. Biden tha se kur të jetë përballë me homologun rus, do t`ia bëjë atij të qartë se SHBA-ja dhe miqtë e saj “qëndrojnë të bashkuar për t`u përballur me sfidat që paraqet Rusia ndaj sigurisë europiane, duke filluar nga ageresioni në Ukrainë”.

Top Channel