Rusia e alarmuar: SHBA po armatos Kosovën, raketa Patriot në Shqipëri/ Reagon ambasada

09/06/2021 13:32

Ambasada e Rusisë në Washington ka reaguar ndaj lajmeve që kanë qarkulluar në disa media ruse të cilat pretendojnë se Kosova po armatoset nga SHBA.

Përmes një postimi në Twitter, ambasada i ka bërë thirrje SHBA-së të respektojë Rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuar dhe të heqë dorë nga politika e armatimit të Kosovës. “Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i përmbahen Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara… Të heqin dora nga politika e  furnizimit të Prishtinës me pajisje ushtarake dhe armë. Hapa të tillë provokues dëmtojnë përpjekjet për të arritur një zgjidhje për Kosovën dhe rrisin tensionet ndëretnike dhe ndërfetare”, thuhet në postim.

Më herët, në shtypin kosovar përmendej një shkrim i portalit të Kremlinit, Sputnik ku citoheshin edhe ekspertë serbe. Në shkrim thuhej se SHBA ka dërguar automjete të blinduara për ushtrinë e Kosovës. “Ne do të shohim se si do të vazhdojë kjo, por sigurisht duhet të merret parasysh që një pjesë e stërvitjeve të NATO-s u zhvilluan edhe në Shqipëri. Dhe një nga modalitetet e prapaskenës është pikërisht se stërvitjet ushtarake përdoren për të lënë armë në vende të tilla”, thoshte aty analisti gjeopolitik dhe ushtaraku serb, Srgjjan Perisiç.

Edhe  gjenerali serb në pension, Branko Krga hodhi idene se  pajisjet ushtarake që përdoren në stërvitje mund edhe të lihen në vendin prites, duke përmendur këtu dhe raketat Patriot’. të tilla pretendime nuk janë dicka e re për rusët; disa ditë më parë zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, tha se NATO do të dorëzonte armët më moderne, municione, si dhe pajisje të tjera të nevojshme për ushtrinë ukrainase nën pretekstin e stërvitjeve ushtarake.

Top Channel