‘Rally’ në Gjirokastër/ 200 pilotë nga 30 vende të botës garuan për dy ditë

09/06/2021 20:15

“Rally Albania” është duke zhvilluar garën më madhe sportive në 17 vitet e fundit.

Ndalesa në Gjirokastër e ‘rrally-it’ me më shumë se 200 pilotë dhe gati 300 pjesëmarrës nga 30 vende të botës ishte dy ditore dhe përshkoi disa nga territoret më vështirësi të lartë por plot adrenalinë për makinat dhe motoçikletat.

‘Rally’ në luginën e Zagorisë dhe atë të Vjosës ishte një spektakël i vërtetë sportiv.Pamjet nga ajri të xhiruar nga mjetet mbështetëse në garë sjellin imazhe të një Shqipërie tjetër, një nga pistat e rralla të këtij sporti në Europë.

Akomodimi i flotës së mjeteve u realizua në luginën e Drinos pasi vit pas viti ky event ka kërkuar hapësirë më të gjera. Pilotët shqiptarë që u përfaqësuan në këtë event me disa makina ishin entusiastë për rezultatet.

Dita e sotme ka ecur shumë mirë. Kemi dy makina në vendet e para edhe pse po presim akoma që të dalin rezultatet nëse ka pasur penalitete gjatë etapave. Nga skuadra jonë këtë sezon marrin pjesë 10 makina në total, të kategorive të ndryshme, 6 janë pjesë e C1 dhe 4 janë pjesë e C2. Nuk kemi pasur aksidente apo dëme serioze”, u shpreh piloti Ened Gilani.

Wouter njëri prej pilotëve belgë pjesëmarrës në garë ishte i impresionuar nga terreni dhe cilësia e garës”
Shumë ulje ngritje, ca rrugë me zall, një garë e shpejtë në shumicën e kohës në terren të vështirë, pra nuk ishte një nga itineraret më të lehta por ishte bukur, shumë bukur, një vend i shkëlqyer. Ishte shumë bukur të garoje këtu”.

Rally Albania që regjistroi këtë vit një pjesëmarrje të madhe të piloteve gra u bë edhe një ngjarje turistike. Gjirokastra dhe rrethinat strehuan për dy netë pjesëmarrësit ndërsa aktualisht gara po vijon drejt Ersekës. Më pas do të zhvendoset në veri lindje dhe do të përfundojë në Tiranë ku do të shpallen edhe fituesit.

Top Channel