“Makineria e luftës”, Kina krijon aeroplanmbajtësen “monstër”

08/06/2021 16:21

Peshon 90 mijë tonë, është më e madhe se 9 balena blu dhe përshkruhet si një “makineri e vërtetë” lufte: kjo është “TIP 003”, aeroplanmbajtësja monstër që ka krijuar Kina e që sipas autoriteteve vendase, do të mund të matet me çdo fuqi tjetër në ujë.

Fotot e shpërndara në mediat e huaja tregojnë se anija gjigande po merr formën përfundimtare në një kantier detar të Shanghait.

Ajo është aeroplanmbajtësja e tretë e Kinës dhe pjesë e një përpjekje madhore të këtij vendi për të modernizuar ushtrinë dhe flotën e tij mbi bazën e një plani 5-vjeçar. Me katapulta të gatshme për lëshime, luftanija futuriste do të jetë e aftë të nisë disa tipe avionësh. Ajo është vetëm disa metra më e shkurtër se aeroplanmbajtësja legjendare amerikane “USS Ford”.

Puna për këtë anije ka nisur në vitin 2018, por vetëm tani kanë dalë pamjet që e tregojnë përbindëshin 325 metra të gjatë e 80 të gjerë duke marrë formën përfundimtare. Ekspertët kanë studiuar çdo imazh satelitor të saj të publikuar. Në bazë të verifikimet të fotove, ata thonë se luftanija duket se do të jetë gati vitin që vjen dhe ndoshta të nisë misionet e lundrimit në 2024.

Top Channel