Ekzekutim në Tiranë/ Autori vret ish-bashkëshortin e vajzës, shkak konfliktet prej vitesh. Plagoset edhe ish-prokurori Adriatik Cama

04/06/2021 11:55
Në të majtë autori Mexhit Picari, në të djathtë viktima Kudret Saliaj

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në afërsi të Gjykatës së Tiranës, ku vjehrri ka ekzekutuar me armë zjarri ish-dhëndrin e tij 30 minuta para seancës gjyqësore.

Plumbat kanë plagosur edhe ish-prokurorin dhe avokatin, Adriatik Cama, i cili ishte ulur në kafen pranë gjykatës me viktimën, Kudret Saliaj.

Kjo vrasje ka ardhur pas shumë problemesh të ndodhura mes autorit Mexhit Picari, viktimës dhe ish-bashkëshortes së tij, të cilët ishin prej vitesh në proces gjyqësor.

Foto e siguruar ekskluzivisht nga gazetarja Anila Hoxha tregojnë çastin pas krimit të ndodhur në Tiranë.

Autori i cili arriti të largohej pas ekzekutimit, është kapur pas disa minutash nga “forcat blu”, pasi arriti të largohej me një makinë tip “Hyundai”.

Autori i ngjarjes

Vajza e autorit dhe viktima ishin në proces divorci dhe pikërisht  sot çifti kishte seancën e pestë  të divorcit, ku do të vendosej se kush do t’i mbante 3 fëmijët, ndërsa paraprakisht rrinin me viktimën.

Një vit më parë viktima sipas burimeve te gazetares Anila Hoxha kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje nga ish-vjehrri.

Gjykata nuk e kishte pranuar kërkesën e tij për një urdhër mbrojtje, ndërsa ndihej ende i kërcënuar nga ish-vjehrri.

Djali i mitur i Kudret Saliajt, i cili mbeti i vdekur mesditën e sotme pranë Gjykatës së Tiranës ka qenë dëshmitari i ngjarjes. Ai ka përjetuar momente tmerri, kur gjyshi i tij i vrau para syve babanë. Sipas dëshmitarëve,  djali bërtiste me të madhe “baba baba”, ndërsa është trembur dhe nga lokali ku ishte i ulur bashkë me të atij, avokatin Adriatik Cama dhe punonjësen sociale, është larguar e ka hyrë në Gjykatë.

Viktima Kudret Salia

Bashkë me viktimën dhe avokatin, me ta kanë qenë një punonjëse sociale dhe djali i madh i çiftit pasi ditën e sotme gjykata do të pyeste djalin më të madh të çiftit se me kë do të qëndronte.

Gazetarja Anila Hoxha thotë se viktima është qëlluar nga 8 plumba, ku 5 e kanë kapur atë.

Ndërkohë në një njoftim paraprak të policisë thuhet se ish- prokurori, është jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr edhe ndihmën nga mjekët.

Adriatik Cama

Ish-prokurori Cama njihet për hetimin e dosjeve të bujshme si vrasja e bankierit Artan Santo dhe dosjes së 21 janarit.

Adriatik Cama, i cili ishte prokuror, në Prokurorinë e Tiranës u shkarkua në korrik të vitit 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Cama e apeloi vendimin e KPK, por në muajin shkurt 2019 , Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi vendimin për shkarkimin e prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Adriatik Cama.

Pas shkarkimit mësohet se Cama u kthye në një avokat në profesion. Ai është avokati i Nevaldo Hajdarajt të policit që vrau pas shpine Klodian Rashën.

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 11:50, në bulevardin “Gjergj Fishta” dyshohet se shtetasi M. P. ka vrarë me armë zjarri shtetasin K. S. ( ish-bashkëshortin e vajzës) dhe si pasojë e të shtënave është plagosur dhe shtetasi A. C., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.  Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për kapjen e autorit të dyshuar, shtetasi M. P.  Janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Policia e Tiranes vë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur pak më parë.  Fale reagimit të menjëhershëm  të Policisë  dhe  veprimeve të  shpejta profesionale u bë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit të ngjarjes, shtetasi Mexhit Picari. Menjëherë pas ngjarjes, Policia zhvilloi shumë kontrolle dhe pas informacioneve të marra u bë i mundur lokalizimi i vendndodhjes dhe kapja e autorit.

FOTO GALERI
2/29

Top Channel