Fiks Fare/ Rruga pa leje gjatë zgjedhjeve në Beshisht të Vlorës. Pas 25 prillit makineritë u larguan!

03/06/2021 20:40

Banorët e fshatit Beshisht në Vlorë u ankuan në “Fiks Fare” se para zgjedhjeve iu është premtuar rruga nga fshati Llakatund.

Bashkia e Vlorës hapi tenderin në mars 2021, me vlerë 54 milionë lekë të rinj. Në datë 16 prill, 9 ditë para zgjedhjeve, u shpall edhe fituesi. Dhe, pa u lidhur kontrata me fituesit, disa mjetë të tonazhit të rëndë shkuan dhe bënë punimet e para. Banorët, të gëzuar, bënë edhe kurbanet e zonës me kafshë. Por, mjetet u zhdukën pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe ende nuk ka filluar rehabilitimi. Mësohet se kontrata me fituesit është lidhur në datën 10 maj 2021 dhe ende nuk ka dalë leja e ndërtimit. Por, si u bënë punime në prill 2021?! Banorët thonë se politika i përdori, duke u premtuar të njëjtën rrugë për 30 vjet me radhë. Ndërsa shprehen se, nga miratimi në Këshillin Bashkiak e deri te zbatimi, projekti është ndryshuar, pasi do të kalojë pranë bizneseve të disa zyrtarëve të pushtetit lokal.

“Marrin zhavorrin tonë dhe shtrojnë rrugë në vende të tjera. Këtë tonën e kanë lënë për ibret. E kanë tenderuar disa herë dhe janë larguar sa mbarojnë zgjedhjet” thonë ata, ndërsa “gëzimi” i tyre në prill 2021 zgjati vetëm disa ditë. “U gëzuam dhe bëmë kurban. Por, mjetet na u larguan më pas” thonë disa banorë. Të tjerë pohojnë se e gjithë zona po vuan prej kësaj rruge. “Janë 4-5 mijë banorë që prek kjo rruga. Nuk lëvizim dot, as me të sëmurë dhe as për qejf. Jemi sëmurë dhe makina do shumë lekë për në Vlorë. Erdhën para votimeve Gjiknuri dhe Rama dhe na premtuam se do e bënin për një kohë të shkurtër” pohojnë ata. Në fakt, deputeti i zonës, Damian Gjiknuri, ka shkuar në Njësinë Administrative Shushicë dhe u ka premtuar se rruga do të bëhet. “Erdhën para votimeve, hodhën disa makina me zhavorr dhe tani ikën. Por, edhe këto rrugë që po i bëjnë, s’po i bëjnë për ne po për bizneset e tyre. Kanë devijuar projektin dhe e kanë çuar rrugën te një pulari që e kanë të tyre” thonë banorët.

Fiks fare ka mësuar se tenderi i rrugës “Llakatund-Beshisht” është shpallur në muajin mars 2021. Fondi për rrugën është 54 milionë lekë të rinj, ndërsa në datën 16 prill 2021, 9 ditë para zgjedhjeve, janë shpallur edhe fituesit: një bashkim operatorësh “Avduli” dhe “A.L Asfalt”. Sipas dokumenteve që disponon “Fiks Fare”, në datën 10 maj 2021 është lidhur kontrata mes firmave dhe Bashkisë Vlorë. Por çfarë ka ndodhur realisht? Megjithëse kontrata është lidhur më 10 maj, mjetet kanë shkuar në këtë rrugë 1 javë para zgjedhjeve. Madje, pa një leje ndërtimi!

Gazetarët e “Fiks Fare” kontaktuan me administratorin e firmës “Avduli”, i cili pohon se ka fituar tenderin sipas asaj çfarë kishte shpallur Bashkia Vlorë. Pohon se firmat që kanë fituar tenderin nuk ka bërë punime në rrugë. Ai thotë se ka një debat për një rrugë që shkon në një pulari, ndërsa thekson se në preventiv rruga është për në tokat bujqësore të fshatit Shushicë. Pyetjes se cila firmë ka bërë punime në prill 2021, ai thotë se “nuk ka informacion”, ndërsa thekson se “mund të jetë politike”. Administratori shton se firma e tij nuk ka hedhur asnjë gurë në rrugë, pasi ende nuk ka dalë leja e ndërtimit!

Fiksi interesohet pranë Njësisë Administrative Shushicë për mjetet që shkuan në prill 2021 në atë rrugë. Administratori Birçe Aliraj thotë se “janë të një firme, nuk janë mjetet e bashkisë dhe njësisë”. Por, nuk mbante mend emrin e firmës. “Ne duam që rruga të bëhet dhe besoj se do bëhet” thotë ai. Gazetarët shkuan edhe në Bashkinë e Vlorës, teksa biseduan me shefin e prokurimeve dhe drejtorin e Urbanistikës. Të dy, nuk kishin informacion se kush i bëri punimet në atë rrugë në prill 2021.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA