Sot finalja e kupës/ Në Air Albania përballet Vllaznia me Skënderbeun

31/05/2021 12:38

Sot do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, një eveniment që mbyll sezonin futbollistik në vendin tonë.

Në “Air Albania Stadium” vihen përballë dy skuadra që patën fytyra dhe objektiva të ndryshme përsa i përket kampionatit. Skuadra shkodrane vjen në këtë finale pas zhgënjimit të pësuar në kampionat që e humbi në 90 minutëshin e fundit kundrejt Teutës e për më tepër vetëm me golavarazh, pasi shkodranët e mbyllën kampionatin me të njëjtën kuotë pikësh me durrsakët.

Përballë Skënderbeut, Vllaznia do të kërkojë të ngrejë një trofe që do të jetë qershia mbi tortë e sezonit të saj. Në fakt, skuadra shkodrane që vinte pas ngjitjes në Superiore nga kategoria e parë zhvilloi një sezon në kufijtë e perfektes, teksa luftoi deri në fund për titullin kampion dhe tani luan këtë finale të Kupës së Shqipërisë, diçka që në fillim të këtij sezoni askush nuk mund ta kishte parashikuar.

Në krahun tjetër është Skënderbeu, që për një pjesë të mirë të kohës në këtë sezon ka notuar në vendet e fundit të klasifikimit duke ngritur pikëpyetje të mëdha përsa i përket mbijetesës në Kategorinë Superiore, por pas ardhjes së Migen Memellit në pankinë, rrugëtimi i Skënderbeut mori një kthesë pozitive me skuadrën korçare që siguruan matematikisht mbijetesën në javën e parafundit të kampionatit dhe tani luan në finalen e Kupës së Shqipërisë, një kompeticion që nëse do ta fitojë do t’i japë mundësinë Skënderbeut të luajë në “Conference League”.

Por, kjo finale e kupës së Shqipërisë do të ndiqet në mënyrë të vecantë edhe nga Laçi i pozicionuar në vendin e katërt në klasifikim. Kurbinasit do të jenë tifozët e veçantë të Vllaznisë në këtë finale pasi një fitore e shkodranëve ndaj Skënderbeut do t’u japë biletën për të marrë pjesë në raundin e parë kualifikues të “Conference league”.

Finalja e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë e Skënderbeut do të luhet në orën 19:00 dhe do të transmetohet në Digitalb.

Top Channel