Leximi nuk duhet reshtur kurrë, sepse ai ka rëndësi të dorës së parë, për ta mbajtur sadopak gjallë aftësinë e formimit të gjykimit dhe mendimeve vetjake. Mënyra se si lexohet, mirë a keq, nuk mund varet vetëm prej nesh, porse arsyeja përse lexohet duhet me qenë vetëm e vetëm në shërbim të interesit tonë.

Mund të lexohet thjesht për të vrarë kohën, sikurse mund te lexohet i yshtur prej një nevoje të thellë të brendshme, në një rast të këtillë, ka për të mbërritë më së mbrami ai çasti i pangishëm kur leximi do të ta bëj natën ditë. Lexonjësit e Biblës, ata që përpiqen me gjetë biblën e vetvetes, ndoshta e trupëzojnë këtë nevojë të brendshme shumë më mirë se lexuesit e Shekspirit, porse në të dyja rastet, prapëseprap, grishja është po ajo. Një nga shërbimet e të lexuarit, është të na përgatisë për ndryshimin tonë, dhe ndryshimi më i fundmë, ajme, është universal.

Nëse leximi i Mbreti Lir,ju rrëmben të tërin, atëherë mendoni e gjykoni për natyrën e njëjtë që personazhi ndan me ju; afrinë me veten tënde. Vetëmse këtë s’e shoh asfare si idealizëm por si pragmatizëm. Ta gjykosh këtë tragjedi si akuzë kundër sistemit patriarkal do të thotë të heqësh dorë nga interesat e tua më vetjake, sidomos kur kemi të bëjmë me lexuese, çka është më ironike se sa duket. Shakespeare, më shumë se sa Sophocles, përbën një autoritet të padiskutueshëm dhe të pashmangshëm për sa i përket konfliktit ndërmjet brezave, dhe më shumë se kushdo tjetër, në lidhje me ndryshimet ndërmjet grave dhe burrave. Jini të hapur kundrejt një leximi të shumëanshëm të Mbreti Lir, dhe kësisoj do të kuptoni shumë më mirë origjinën e asaj çka ju e quani patriarkat.

Leximi na trand së brendshmi duke na dhënë ndiesi të atilla kënaqësie të cilat shpjegojnë deri diku se përse vlerat estetike janë nënvlerësuar nga moralistët socialë, qysh prej Platonit deri tek kampi i sotshëm i puritanëve. Kënaqësitë leximore janë në të vërtetë egoiste më shumë se sociale. Nuk është se përmirësohet drejtpërdrejt jeta e ndokujt nëse leximi është më i mirë e më i thellë. Mbetem mosbesues ndaj shpresës tradicionale sociale se kujdesi ndaj të tjerëve mund të nxitet prej gjallërimit të imagjinatës vetjake, sikurse jam i tejnginjur me argumentat e gjertanishme që përqasin ëndjet e leximit vetmitar me të mirën publike.

Ajo çka është e trishtueshme sa i përket leximit në mënyrë profesionale është fakti se rrallë ndodh të ndiesh sërish atë mrekullim të dikurshëm që të ngjallte leximi në rini, atëkohë kur librat mbartnin “mrekullimin hazlitian”. Mënyra se si lexojmë sot, varet deri diku apo plotësisht nga largësia, qoftë kjo e brendshme apo e jashtme, që ne vendosim në lidhje me universitetet, vendet ku leximi rrallë mësohet si kënaqësi, në kuptimin më të thellë të estetikës së kënaqësisë. Hapja e vetvetes kundrejt një përballjeje të drejtpërdrejtë me Shekspirin në kulmin e fuqisë së tij krijuese, sikurse është Mbreti Lir, asnjëherë nuk është e lehtë, në të ri sikurse në pleqëri, dhe prapëseprapë të mos e lexosh në plotninë e vet Mbretit Lir (çka do të thotë pa kurrfarë manteli ideologjik) do të thotë të mashtrosh botërisht vetveten edhe në gjykim edhe estetikisht. Një fëmijëri ku pjesën më të madhe të kohës e zë televizori domosdo shpie tek një adoleshencë ku kohën e gllabëron kompjuteri, dhe kësisoj në dyert e univesitetit kemi një student që s’ka gjasa ta mirëpresë idenë se nevojitet durim në këtë rrugëtim që s’njeh fund deri në cakun e mbramë: urtinë që është gjithçka.

Vlera në letërsi sikurse në jetë, më së shumti ka të bëjë me të veçantën fshehatare, atë që kalon cakun e të zakonshmes, të tepërtën prej së cilës merr jetë kuptimi. Nuk është rastësi që historiografët – kritikët që besojnë se njerëzit janë produkt i historisë shoqërore – i shohin personazhet letrarë thjesht si gjurmë të lëna në letër, dhe kaq. Hamleti as që përbën një të vërtetë historike nëse mendimet që kemi nuk na përkasin ne. Kjo na sjell tek parimi i parë, që mund të përmirësojë mënyrën se si lexojmë sot, parim që ja detyroj Dr. Johnson-it: “Çliroje mendjen prej klisheve” Fjalori të dëften që klisheja është ligjërim i stërfyrë me banalitete të rëndomta, fjalor i stërçuditshëm si ai i një sekti a kulti shtriganësh.
Parimi i çlirimit të mendjes prej klisheve na shpie tek parimi i dytë i ringjalljes së leximit: Mos u orvat të bësh më të mirë fqinjin apo lagjen me atë që lexon apo si e lexon. Vetëpërmirësimi është një projekt aq madhor sa të mjafton vetja, mendja dhe shpirti yt: për to s’ka kurrfarë etike leximi.

Mendja duhet mbajtur e përqendruar në shtëpinë tënde derisa padituria e saj e mirëfilltë të jetë zbuar me gjithsej; angazhimi i parakohshëm është magjepsës në vetvete, por merr shumë kohë, kohë e cila për leximin nuk do të jetë e mjaftueshme kurrë. Shkrimi për historinë, qoftë ajo e tashme apo e shkuar, është një lloj idhujtarie, adhurim i vazhdueshëm për çka ndodh në kohë.

U jam rikthyer shumë herë letrave që kam marrë prej njerëzish të panjohur tetë a nëntë vitet e fundit, dhe më ka ndodhur shpesh të prekem aq shumë prej tyre sa të mos mundem t’u kthej përgjigje. Pathosi që i përshkon, për mendimin tim, përbën më së shumti një nevojë të thellë për studimin letrar profesionist, detyrim që universitet nuk begenisin ta përmbushin. Emersoni ka shkruar se shoqëria nuk bën dot pa njerëz të kultivuar dhe shtoi në mënyrë profetike se: “vatra e shkrimtarit nuk është shkolla, por njerëzimi.” Ai e kishte fjalën për shkrimtarë të fuqishëm, burra dhe gra që merrnin përsipër të ishin përfaqësues, përfaqësues të vetvetes, dhe jo kushtetutave, me të vetmen politikë atë që buron prej shpirtit njerëzor.
Borgesi ia mvishte këtë universalizëm mungesës së mirëfilltë të egoizmit të tij, cilësi që përbën një metaforë të shumëfishtë për dallimin mes Shakespear-it dhe të tjerëve, metaforë e fuqisë së tij njohëse si e tillë. Ne lexojmë, më shpesh e më shumë se sa ne mendojmë se lexojmë, në kërkim të një mendjeje më origjinale se e jona.

Në fund të shtegut të ironisë së humbur është caku i mbramë, përtej të cilit vlera e letërsisë do të jetë e paripërtërishme. Ironia është thjesht një metaforë, dhe rrallë ndodh që ironia e një epoke letrare të jetë si ajo e një epoke tjetër, sidoqoftë, pa rilindjen e kuptimit të ironisë humbet shumë më shumë se ajo që ne e quajmë shkrim letrar. Tomas Mani, ndër më ironikët e shkrimtarëve të këtij shekulli, duket se është bër fir tashmë. Botohen biografi të reja të tij, dhe shkrimet për to mbështeten pothuajse gjithmonë vetëm në homoseksualitetin e tij, a thua se kësisoj do mbahet gjallë interesi ynë si lexues për to, vetëm nëse vërtetohet së ishte homoseksual, dhe kjo t’i sigurojë një vend në bibliotekat tona. Nuk ndodh ndryshe as kur bëhet fjalë për Shekspirin, më së shumti përmendet biseksualiteti i tij i dallueshëm, dhe kësisoj huqet e puritanëve të kohës sonë nuk kanë të sosur. Ironitë shekspiriane, sikurse dihet, jamë më të shumëkuptimshmet dhe dialektiket në tërë letërsinë perëndimore, dhe prapëseprap ato nuk ndërmjetësojnë gjithmonë pasionet e personazheve të tij për ne, kaq e gjerë dhe e fuqishme është furtuna e tyre emocionale. Kjo është arsyeja pse Shakespeare e tejkalon epokën tonë, edhe pse ironitë e tij shpërfillen për t’u marrë me vogëlsira.

Tani po kaptoj të shtatëdhjetat, dhe në këtë moshë njeriu nuk para ka qejf të lexojë letërsi të dobët sikurse të shohë ditë të zeza, përderisa ditët i kemi të numëruara. Nuk e di nëse vdekjen ia kemi borxh Zotit a natyrës, por natyra do të bëjë të vetën, dhe ne pa më të voglin dyshim mediokritetit nuk i kemi kurrfarë borxhi, pavarësisht se çfarë turme nënkupton apo përfaqëson ai. Ngase lexuesi im ideal, për një gjysmë shekullia, ka qenë Dr. Samuel Johnson-i, po sjell fragmentin tim të parapëlqyer shkëputur nga parathënia e tij për Shakespeare-in:
Kjo pra është fuqia e Shakespeare-it, drama e tij është pasqyrë e jetës; kushdo që kuturis në mbretërinë e imagjinatës për të rendur pas shajnive që të tjerë shkrimtarë para tij krijuan, mund të gjej tek ai ilaçin shërues për dallditë e tij delirante ngase lexon aty ndenjat njerëzore në gjuhë njerëzore, prej skenash me anë të cilave një eremit mund të shkoqisë punët e botës dhe një pendestar shtigjet e pasioneve të saj.”

Sërish, dashuria ime për Johnson-in, dhe për leximin, më shtyn të shmang polemikat, e në vend të tyre të lartësoj shumë prej lexuesve vetmitarë që takoj vazhdimisht, qoftë në auditore apo në letrat që më dërgojnë. Ne lexojmë Shekspirin, Danten, Chaucer-in, Servantesin, Dikensin, Prustin, dhe të gjithë të ngjashmit e tyre sepse ata i zgjerojnë përmasat e kuptimit të jetës. Praktikisht, ata përbëjnë Bekim, në kuptimin e vet më hyjnor me “më shumë jetë në një kohë që s’ka kufij.” Ne lexojmë pafundësisht për shumë arsye, disa prej tyre të ditura: ngase s’mund ti njohim plotësisht njerëzit, t’i njohim aq sa të mos ketë më nevojë: ngase kemi nevojë të njohim më mirë veten; ngase kemi nevojë për dijen jo vetëm në lidhje me veten dhe të tjerët, por edhe se si janë punët e kësaj bote.
Përktheu: Granit Zela

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA