Ukraina mbyll hapësirën ajrore për avionët e Bjellorusisë

28/05/2021 14:49

Qeveria ukrainase ka vendosur të mbyllë hapësirën ajrore për avionët e regjistruar në Bjellorusi duke filluar nga 29 maji.

Në një deklaratë në faqen e internetit të qeverisë ukrainase, thuhet se vendimi u mor në bazë të uljes emergjente të avionit të pasagjerëve të kompanisë Ryanair, i cili u detyrua të bënte ulje emergjente teksa ndodhej në hapësirën ajrore bjelloruse.

Në deklaratë theksohet se Ministria e Infrastrukturës e Ukrainës, Autoriteti Shtetëror i Aviacionit dhe Autoriteti i Trafikut Ajror të Ukrainës janë ngarkuar të zbatojnë vendimin për të mbyllur hapësirën ajrore të Ukrainës për avionët bjellorusë që nga 29 maji.

Për shkak të uljes emergjente të avionit të kompanisë Ryanair që po fluturonte nga Athina për në Vilnius, Ukraina nga 26 maji ndaloi fluturimet me Bjellorusinë dhe ndaloi avionët e saj të përdorinin hapësirën ajrore bjelloruse.

Ndryshe, avioni me 123 pasagjerë i kompanisë Ryanair, i cili po fluturonte nga Greqia për në Lituani, bëri ulje emergjente ndërsa ishte në hapësirën ajrore bjelloruse me pretendimin e një denoncimi për bombë.

Roman Protaseviç, ish-kryeredaktor dhe themelues i një llogarie në mediat sociale, i cili ishte midis pasagjerëve në aeroplanin që u ul në Minsk, kryeqytetin e Bjellorusisë, dhe i kërkuar për përfshirje të dyshuar në incidente terroriste, u arrestua nga autoritetet bjelloruse.

Pas kërkimeve, doli në pah se denoncimi për bombë ishte i pavërtetë. Pas kontrolleve të nevojshme, avioni u largua nga Aeroporti i Minskut dhe u ul në Vilnius.

Top Channel