Greqia kërkon pasaportën jeshile/ Kryeministri grek: Të vendoset në funksionim menjëherë

28/05/2021 20:03

Certifikata digjitale Covid e BE-së, që do të përdorë Bashkimi Europian dhe do të lehtësojë udhëtimet e qytetarëve të shteteve anëtare është prezantuar mëngjesin e së premtes në Athinë nga ministri grek i Qeverisjes Digjitale, në prani të Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel dhe zv/presidentit, të Komisionit Europian, Margaritis Schoinas.

Greqia do të jetë vendi i parë që e aktivizon certifikatën digjitale ka deklaruar kryeministri Kyriakos Mitsotakis , i cili e ka propozuar dhënien e saj katër muaj më parë.

Ne në Greqi, jemi gati të aktivizojmë certifikatën digjitale më herët se 1 korriku dhe inkurajojmë vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë për të shmangur kompleksitetin e negociatave dypalëshe. Unë këmbëngul se qëllimi ynë nuk është të ndajmë njerëzit, por certifikata digjitale do të japë një kontribut vendimtar në lehtësimin e udhëtimeve, veçanërisht në verë”, deklaroi kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Certifikata do të bazohet në një bazë të vetme të dhënash, e cila do të tregojë nëse dhe kur poseduesi është vaksinuar, nëse dhe kur është prekur nga Covid ose nëse ka një test negativ molekular. Ajo do të lehtësojë europianët në pikat kufitare gjatë udhëtimeve.
Jam shumë krenar që jam këtu, urime për zbatimin e certifikatës digjitale, është një arritje e rëndësishme evropiane, pasi është thelbësore të tregojmë se mund të garantojmë rikthimin e lëvizjes së qetë të qytetarëve evropianë pas pandemisë së koronavirusit”, u shpreh presidenti i Këshillit Europian, Charles Mishel.

Gadishmëria e Greqisë, në lëshimin e certifikatës jep mundësinë për të filluar zbatimin e saj në bashkëpunim me vendet e tjera që janë në një nivel të ngjashëm përpara premierës zyrtare evropiane në 1 korrik.

Certifikata digjitale për qytetarët grekë, do të jepet nëpërmjet platformës digjitale qeveritare, ku secili qytetar mund të futet duke përdorur kodet e numrit të regjistrimit tatimor apo të Regjistrimit të Sigurimeve Shoqërore.

Top Channel