Shtypi rus: NATO-ja po e dëbon Rusinë nga Ballkani!

27/05/2021 16:14

Përmes një artikulli të gjatë, media ruse “Regnum”, tregon se Aleanca e Atlantikut veriore është duke e larguar Rusinë nga ndikimi në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Që në krye të shkrimit, ajo përmend pjesëmarrjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtrimet e përbashkëta “Përgjigja e Shpejtë 2021″, të nisura në 17 maj e që vazhdojnë deri në qershor.

Nga ana tjetër, kujton anulimin e stërvitjeve të përbashkëta ishin planifikuar të mbaheshin nga Serbia, Rusia dhe Bjellorusia. “Nga data 20 maj deri më 25 maj u mbajtën manovrat e ushtrisë serbe me ato ruse, e quajtur si ‘Përgjigja e përbashkët 2021’. Në këtë ushtrim, ishin të përfshirë rreth 200 ushtarakë dhe 11 sisteme luftarake. Por, në shtator të vitit të kaluar, Serbia e anuloi pjesëmarrjen e saj në stërvitjen e përbashkët me Bjellorusinë dhe Rusinë e emëruar si ‘Vëllazëria Sllave’, që duhet të ishin zhvilluar në territorin bjellorus.

Kjo, pavarësisht faktit që gjithçka ishte përgatitur tashmë. Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin tha se, Beogradi refuzoi të merrte pjesë në stërvitje për shkak të presionit të jashtëm”, shkruan Regnum.

Në artikull shkruhet se NATO-ja po bën çdo gjë për të afruar vendet e Ballkanit. “Teksa forcat e armatosura të Serbisë dhe Federatës Ruse po kryejnë trajnime të përbashkëta në territorin serb, Aleanca e Atlantikut të Veriut po bën gjithçka për të afruar vendet e Ballkanit sa më shumë që të jetë e mundur që të jetë e mundur, duke organizuar aksione dhe stërvitje ushtarake me pjesëmarrjen e tyre në kuadër të ‘Partneritetit për Paqe’, “-vazhdon shkrimi, që përmend dhe pjesëmarrjen e forcave të sigurisë së Kosovës duke nënvizuar se ato NATO po i stërvit për t’i shndërruar në ushtri.

Top Channel