Policia e Fierit ka vënë në pranga tre persona, pasi dy prej tyre janë kapur duke kultivuar kanabis në një banesë të braktisur në fshatin Kreshpan, ndërsa një 21-vjeçar ka tentuar të largojë me makinën e tij një nga autorët.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se dy prej të arrestuarve janë 37 dhe 27 vjeç, banues në Fier, ndërsa bashkëpunëtori i tyre një 21-vjeçar banues në Kreshpan.
Bëhet e ditur se 37-vjeçari ishte person i shpallur në kërkim, me masë sigurie “Arrest në burg” të caktuar nga Gjykata për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasit E. Y., 37 vjeç (i shpallur në kërkim, me masë sigurie “Arrest në burg” të caktuar nga Gjykata për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”) dhe Xh. T., 27 vjeç, të dy banues në Fier, pasi në një banesë të braktisur në fshatin Kreshpan, janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke kultivuar në kubikë fidanë cannabis sativa.
Gjithashtu, për këtë rast u arrestua për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasi G. Y., 21 vjeç, banues në Kreshpan, i cili gjatë momentit që autorët janë pikasur nga shërbimet e Policisë, ka ndihmuar shtetasin Xh. T. të largohej nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij”, njofton Policia.
Materialet procedurale në lidhje me këtë rast do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.
Top Channel