PAMJET/ Momenti kur autori ndez lëndën plasëse dhe e hedh brenda banesës së drejtuesit të PD-së në Shijak

24/05/2021 13:36

Një sasi lëndë plasëse është vendosur në banesën e drejtuesit të PD-së, Ilgner Vora në qytetin e Shijakut gjatë mbrëmjes së kaluar.

Kamera e sigurisë së familjes Vora  ka fiksuar autorin natën e kaluar teksa vendos lëndën plasëse në derën e shtëpisë. Top Channel ka siguruar pamjet e autorit që qëndron jashtë derës, ndez lëndën plasëse, e hedh brenda shtëpisë dhe ia mbath.

Nga shpërthimi u shkaktuan dëme materiale dhe tronditje e fortë për anëtarët e familjes. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00, ndërsa nuk dihen ende autorët. Policia deklaron se po vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për identifikimin e autorit dhe  sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në një prononcim për mediet, drejtuesi i PD-së në Shijak, Ilgner Vora hedh poshtë pistën e një konflikti mes adoleshentësh ku përfshihet vëllai i tij 16-vjeçar duke thënë se nuk e beson dhe se janë në pritje të përgjigjes së policisë.

Ai ka treguar se nuk ka pasur probleme apo konflikte me askënd, ndërsa shton se të gjithë pjesëtarët e familjes janë shumë të trembur.

Vora: Rreth orës 21:50 ka shpërthyer një lëndë plasëse me fitil të ndezur në derën e banesës ku jetojmë. Nuk dimë asnjë pistë ku policia e Durrësit dhe Shijakut po heton.

Për pjesën e politikës gjatë tre viteve jam kryetar i qytetit të Shijakut për PD-në.

Nuk besoj te kjo pista e fëmijëve, por presim përgjigjen e Policisë së Shtetit. Vëllai im është vetëm 16 vjeç dhe unë kam vite që jetoj në Shijak dhe s’kemi pasur konflikte me askënd, përveç denoncimeve tona politike.

Ne jemi një familje shumë e madhe. Jetojmë 12 persona në një apartament, bashkë me vëllain e madh dhe me të gjithë fëmijët e vegjël. Të trembur jemi shumë. Kjo është gjithçka.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel