Luhen sot pasdite ndeshjet e javës së parafundit të Kategorisë Superiore, ku në lojë janë si çështja e titullit kampion, ashtu edhe ajo e luftës për mbijetesë.
Padyshim, vëmendja më e madhe do të jetë te sfidat 4 skuadrave të para të klasifikimit, Partizani, Teuta, Laçi dhe Vllaznia, që janë në betejë shumë të hapur për titullin kampion.
Kështu, në stadiumin Air Albania, skuadra kryesuese e Partizanit do të presë Vllazninë, me ekipet që ndahen vetëm 2 pikë nga njëra-tjetra në renditje, një sfidë kjo që është padyshim e ndërthurur edhe me atë që do të luhet në Laç, mes skuadrës kurbinase dhe Teutës.
Një fitore e Partizanit, i afron akoma më shumë të kuqtë me titullin, por edhe Vllaznia do të kërkojë të luajë shanset e saj. Vetë trajneri Brdaric, deklaroi se tashmë skuadra shkodrane e ka fituar kampionatin e saj, duke parë sezonin e shkëlqyer që ka bërë kështu, që ajo pritet të jetë më e lirshme në lojën e saj se kryeqytetasit.
Edhe në Kurbin, fitorja është opsioni i vetëm për të dyja skuadrat me Teutën, që gjithsesi ka një avantazh ndaj Laçit, teksa ka 2 pikë më shumë se skuadra e Shpëtim Duros.
Përsa i përket zonës së mbijetesës, Apolonia që do të luajë ndaj Tiranës, ka rënë nga kategoria dhe Skënderbeu, Kastrioti dhe Bylis po luftojnë që të mos ndjekin skuadrën fierake në Kategorinë e parë.
Skuadra korçare, e drejtuar nga Migen Memelli ka bërë paraqitje të mira në javët e fundit dhe për momentin e ka lënë zonën e rënies nga kategoria, pasi gjendet në vendin e shtatë.
Skënderbeu do të luajë ndaj Kukësit për të siguruar qëndrimin ku do të kërkojë fitoren, por vëmendjen do ta ketë edhe te stadiumi i Kamzës, ku do të luhet përballja mes Kastriotit dhe Bylis, dy skuadra këto, që do të kërkojnë vetëm 3 pikët e kësaj sfide.
Top Channel