Certifikata mirënjohjeje për mësuesit e “RTSH Shkollë”/ Kushi: 7,000 video mësimore të regjistruara, kontribut i pazëvendësueshëm për nxënësit

19/05/2021 17:26

Ditën e sotme, në praninë e Kryeministrit Rama, Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi dhe partnerëve vendor dhe ndërkombëtarë, është zhvilluar një aktivitet vlerësues dhe falënderues për rreth 130 mësues që dhanë kontributin në projektin e kanalit të dedikuar “RTSH Shkollë”.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Kushi shprehu bindjen se mësuesit e angazhuar në regjistrimet e lëndëve ia kanë dalë me shumë sukses në misionin fisnik për t’u ardhur në ndihmë nxënësve të arsimit parauniversitar në ndjekjen e procesit mësimor gjatë periudhës së pandemisë.

Ajo ka shtuar më tej se rreth 7 mijë video mësimore të regjistruara për “RTSH Shkollë”, që nga Marsi 2020 e deri më sot, nuk janë një punë e lehtë, por janë produkt i një përkushtimi të rrallë në historinë e bukur të arsimit shqiptar, ku mësuesit do të mbahen mend gjithmonë si “Mësuesit e Sakrificës”.

Falë marrëveshjes që është bërë me Radio Televizionin Shqiptar për kanalin e dedikuar të arsimit, transmetimi i orëve mësimore do të vazhdojë rregullisht edhe përtej periudhës së pandemisë COVID-19.

“Përveçse një kanal televiziv në ndihmë të nxënësve për orët mësimore, ka marrë edhe karakterin e një kanali edukues, ku çdo ditë shfaqen edhe dokumentarë shkencorë, historikë, kulturorë dhe filma për fëmijë” – tha Kushi.

“Ne si Ministri e Arsimit, Sportit dhe Rinisë jemi më se të vendosur që së bashku me strukturat tona të angazhohemi akoma më shumë, për ta pasuruar dhe zhvilluar më tej kanalin ‘RTSH Shkollë’ me programe argëtuese dhe kreative në dobi të nxënësve” – ka theksuar ndër të tjera në fjalën e saj Ministrja Kushi.

Ajo nuk ka lënë pa përmendur kontributin e vlefshëm të ekipit të RTSH-së të angazhuar për arsimin, si dhe ka falënderuar partnerët zhvillimore “UN Albania”, “UNICEF Albania”, “Save the Children”, “World Vision”, “Ambasada Hollandeze”, etj. për mbështetjen dhe kontributin e tyre në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA