Grabitje në mes të Athinës, shqiptarët “luftë” me policinë!

18/05/2021 15:19

Gazeta greke, Protothema e quan ““Perëndimi i Egër” në qendër të Athinës- grabitësit shqiptarë sulmojnë oficerët e policisë”: bëhet fjalë për ngjarjen e katër ditëve me parë, kur efektivët grekë u vu në ndjekje të tre personave në Athinë, të cilët pasi kishin vjedhur një makinë, thyhen dhe xhamin e një dyqani telefonësh duke grabitur rreth 3000 euro mall”.

Autorët me origjinë shqiptare, shkruan ajo, nuk nguruan të sulmonin policët me shpresën se në këtë mënyrë do të shmangnin arrestimin.

Ndjekja në rrugët e kryeqytetit zgjati për 20 minuta. “Njëri prej tyre hodhi kolegun tim nga motori, duke i rrezikuar për rrjedhojë jetën”, tha njëri nga efektivët e përfshirë në ngjarje.

Në fund, të tre personat u vunë në pranga. Gjithçka nisi në kryqëzimin e rrugëve Petras dhe Nafplio në qendër të Athinës, ku efektivët vunë re një automjet me tre persona që bënin lëvizje të dyshimta.

Në momentin që policët u afruan, drejtuesi i mjetit i dha gaz e nga aty nisi ndjekja. Pesë minuta më vonë, autorët e braktisën makinën e nisën të largohen me vrap, ndërsa gjatë rrugës hodhën në vende të ndryshme sendet e vjedhura.

Arratia e tyre nuk zgjati shumë, por buja e këtij episodi vazhdon edhe pas disa ditësh.

Top Channel