Angela Merkel, Kancelarja gjermanisë

Kancelarja Merkel do të komunikojë të hënën, pra sot, me kryeministrin e Kosovës, Kurti, për një gamë të gjerë çështjesh, ndër to edhe për dialogun me Serbinë.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel do të zhvillojë të hënën pasdite (17.01.) një videokonferencë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert bëri të ditur se biseda do të përqendrohet shumë fort në kursin e reformave në Kosovë.

Më tej bashkëbiseduesit do të diskutojnë për procesin e afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian si dhe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE midis Kosovës dhe Serbisë.

Të martën, Kurti do të jetë në Bruksel ku pritet të ketë një darkë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor. Qeveria e Kosovës synon që procesin e dialogut me Serbinë, ta shfrytëzojë si mjet për të siguruar njohje nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro, janë pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Disa prej tyre kanë shprehur rezerva sa i takon njohjes, pa u arritur një marrëveshje përfundimtare në procesin e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Qeveria e Kosovës do të marr pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore, të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së si dhe anëtarësimin në OKB”, thuhet në Programin e Qeverisë së Kosovës, 2021-2025.

Pjesa e programit qeverisës që i kushtohet politikës së jashtme, kryesisht fokusohet në rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes njohjeve të reja si dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Top Channel