Të moshuarit kritikojnë procesin e vaksinimit në Prishtinë, flet 67-vjeçarja: Shkova për Pfizer, më bënë AstraZeneca

14/05/2021 14:44

Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë, vijon vaksinimi i të moshuarve mbi moshën 65 vjeç.

Kjo sallë ishte e mbushur me persona të moshuar të cilët në dorë mbanin një numër me të cilin prisnin në radhë për t’u vaksinuar. Gjatë paradites, të gjithë prisnin jashtë, por kishte edhe shumë të moshuar që kishin hyrë brenda, ishin ulur në karrige dhe po prisnin në radhë, megjithatë përsëri kishte mosrespektim të masave anti-Covid.

Në mëngjes para sallës “1 Tetori”, u shkaktua shumë rrëmujë, për të mbajtur rendin dhe distancën. Disa qytetarë që u vaksinuan shprehën pakënaqësitë e tyre edhe për organizimin e vaksinimit por edhe për vaksinën që u jepej atyre. Shumica kishin ardhur të vaksinohen me Pfizer por ata po të gjithë morën vaksinën AstraZeneca.

Sadbere Rrahmani, 86 vjeçare thotë se tani pasi u vaksinua po ndihet mirë por iu desh të priste rreth 6 orë derisa i erdhi radha për t’u vaksinuar.

“Njëherë mirë ….boll shumë më ra me prit, prej 7 që ka ardhur djali këtu e deri tani….86 vjeçare”, tha ajo.

Pasi e mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca, Ola Syla thotë se ndihet mirë që u vaksinua, pavarësisht pritjes.

“Mirë jam që po pres reagimin mos kam ndonjë alergji apo diçka…Kam ardhur në ora 8:00 edhe deri tash mirë, nuk ka qenë diçka në rregull ka qenë…Me të tregu drejtë kohëve të fundit më nuk zgjedhsha cilëndo që e kisha marrë shumica që e kanë marrë më kanë thënë që është e mirë, është e sigurt”, u shpreh Syla.

Ragip Bytyqi ka adresuar kritika ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për organizimin e vaksinimit për të moshuarit. Ai thotë se sot veprimet e MSH-së, e kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

“Prej 07:30….Për momentin mirë…AstraZenecën këtë që e kanë pasur…..organizimi nuk ka qenë kurfare me pritur dy orë jemi të gjithë 65 vjeçar të gjithë të sëmurë domethënë që  MSH është dashur të organizoj më mirë….Kjo sallë ishte plotë rreziku më i madh ishte këtu të infektohemi ndokush ministria në vend që të mendoj që mos të kemi rrezik prej COVID ajo i grumbullon njerëzit këtu”, u shpreh Bytyqi.

Pas tri orë pritjesh më në fund dozën e parë të vaksinës sot e mori edhe Bedrie Rudari, e cila thotë se ajo kishte ardhur për ta marrë vaksinën Pfizer por u detyrua të merrte AstraZenecën.

“Mirë ka shkuar mirë.. dy tri orë po kemi pritur mos më shumë…AstraZenecën cilën na e bën…Për tjetrën kam qenë e përgatitur por cila qëlloi….67 vjeçare…Jam e operuar prej gjëndrrës, osteoporozës, kam reumatizëm”, tha Rudari.

Top Channel