Policia e Korçës në kuadër të operacionit “Perimetri” ka vënë në pranga dy persona, që janë kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm si edhe një tjetër, i cili ishte shpallur në kërkim.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se një 23 dhe 37-vjeçar janë kapur nga policia në rrugën dytësore Rëmbec, Maliq, duke transportuar me mjetin tip “Nissan”, tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Ndërsa u bë i mundur edhe arrestimi i 21-vjeçarit të shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Korçës në 10 shkurt të këtij viti i ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i plotë:
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.
U kapën duke transportuar kundrejt shpërblimit 3 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas.
Ndalohet edhe 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim, në kuadër të këtij operacioni.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e Policisë Rrugore dhe Forcat Speciale “Shqiponjat” në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve F. B., 23 vjeç dhe E. Sh., 37 vjeç, banues në Elbasan.
Shërbimet e policisë rrugore kanë kapur në rrugën dytësore Rëmbec, Maliq, shtetasit e mësipërm duke transportuar me mjetin tip “Nissan”, tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Gjithashtu po nga këto struktura, u bë ndalimi i shtetasit në kërkim L. Ll., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 10.02.2021, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.
Top Channel