Autoritetet nigeriane kanë sekuestruar 80 shtëpi dhe 153 milionë dollarë nga ish-ministrja e Transportit dhe Naftës në këtë vend Diezani Alison-Madueke, e cila dyshohet për korrupsion dhe mashtrim.
Abdulrasheed Bawa nga Komisioni për krim ekonomik dhe financiar tha se prokurorët ende po hetojnë ish-ministren.
Ai konfirmoi se ish-ministres i janë konfiskuar 153 milionë dollarë nga llogaritë e saj bankare si dhe 80 shtëpi që ajo posedonte.
Në vitin 2019, një gjykatë nigeriane sekuestroi bizhuteri në vlerë 40 milionë dollarë nga Alison-Madueka dhe një shtëpi që ajo posedonte në vlerë 37.5 milionë dollarë.
Alison-Madueke ushtroi detyrën e ministres së Resurseve të Naftës nga viti 2010 deri në vitin 2015 gjatë mandatit të presidentit nigerian Goodluck Jonathan. Ajo më parë ka mbajtur postet e ministres së Transportit dhe Zhvillimit të Minierave.
Presidenti i tanishëm nigerian Muhammadu Buhari nisi një luftë kundër korrupsionit kur erdhi në pushtet në vitin 2015 ndërsa ish-ministrja Alison-Madueke ishte midis zyrtarëve të akuzuar.
Alison-Madueke momentalisht qëndron për kurim në Britani të Madhe. Politikanja 60-vjeçare pranoi të ketë bërë gabime derisa ushtronte poste ministrore, por mohoi përfshirjen në korrupsion.
Nigeria është e pasur me naftë, gaz dhe minerale nëntokësore, por korrupsioni dhe shpërndarja e padrejtë e fitimeve janë faktorët kryesorë për varfërinë në këtë vend.
Top Channel