Rama: Bashkëpunim me PD, do e ‘çmontojmë’ Presidencën/ “Meta është një turp, zëvendësimin e bëjmë me PD”

10/05/2021 15:01

Edi Rama nuk është aspak i shqetësuar nga retorika politike e kundërshtarit Lulzim Basha. Kritikave të tyre tha Rama përpara grupit parlamentar socialist, do ti përgjigjemi me mendjen e hapur e gatishmërinë për dialog e bashkëveprim.

“Ne nuk kemi marrë një mandat për të luftuar me Partinë Demokratike por për të çuar deri në fund punët e mëdha që kemi nisur e për të nisur punë të mëdha që duhen çuar deri në fund. Ne natyrisht nuk do ta presim PD deri kur të rivendosë lidhjen me realitetin por të jemi gati që të bashkëpunojmë me demokratët, kudo qoftë e sido qoftë kjo të jetë e mundur. Pa u lodhur, pa e humbur as durimin e as toruan, ne do ta mbajmë të shtrirë dorën e bashkëpunimit për opozitën e nuk do lëmë rast pa ua kujtuar me fjalë e pa ua treguar me sjellje e me vepra se kjo për ne është dekada për ta ngjitur lartë Shqipërinë, së bashku me gjithë të tjerët, jo për të shtyrë njëri tjetrin duke u kacafytë në mes të rrugës ku duhet të ecë sa më shpejtë vendi e populli ynë”.

Rruga e bashkëpumit mes socialisteve, Ilir Metës dhe LSI-s, sipas Edi Ramës është një kapitull i mbyllur përgjithmonë.

“Ilir Meta duhet të shkarkohet nga detyra si një personifikim i antishtetit, i ndëshkuar nga populli shqiptar në 25 prill, një personazh grotesk që e turpëron Shqipërinë,. Që e turpëron shoqërinë shqiptare, që turpëron çdo qytetar normal të të këtij vendi me praninë e tij në krye të shtetit. Shkarkimi i Ilir metës nuk është i gjithi në dorën tonë, këtë e dimë por duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta çminuar institucionin e presidentit të republikës duke votuar në bllok shkarkimin”.

Pas fitores së 25 Prillit Edi Rama kërkon nisjen e përgatitjeve për sfidat e ardhshme elektorale.

“Mesazhi im i parë për të gjithë familjen tonë politike është: jini gati! Gati për të nisur që tani përgatitjen e fitores tjetër, edhe tjetrës më tej, në zgjedhjet e ardhshme vendore e në ato të përgjithshme t e vitit 2025. Gati për të mbajtur me dinjitet lartë përgjegjësinë e shumicës së re qeverisëse në Kuvend e në çdo nivel të ekzekutivit. Gati për të analizuar në çdo aspekt mandatin e dytë dhe ndeshjen e sapo përfunduar që të kuptojmë sa më qartë se ku dhe si duhet të ndërhymë për përmirësime të mëtejshme të makinerisë sonë elektorale, si dhe natyrisht për të reformuar më tej qeverisen, strukturën e Partisë Socialiste, padyshim vetë Shqipërinë”.

Sipas Edi Ramës fitorja e socialistëve do të ishte edhe më thellë.

“Gjynah që nuk kemi mundur ta maksimizojmë rezultatin final me plus 4 mandate të cilat i kemi lënë rrugës për shkak të numrit të madh të votave të pavlefshme, të atyre që kanë zgjedhur 12-n në Dibër, në Shkodër, Tiranë dhe Elbasan por kanë gabuar në shënjimin e numrit të preferencës për kandidatët por sigurisht që kjo nuk e bën më pak të çmuar rimarrjen e 74 mandateve, njësoj si 4 vjet më parë, përkundrazi, kjo është një 74 shumë më domethënëse pas një mandati të dytë skajshmërish të vështirë për shkak të tërmetit e të pandemisë që e bënë këtë mandat të dytë, më të jashtëzakonshmin të historisë së pluralizmit politik në Shqipëri”.

Edi Rama zgjodhi 12 qershorin për të thirrur kongresin e jashtëzakonshëm.

“Kampionët e Formula UNO pasi ngrenë trofeun futen në garazh dhe bëjnë remont të plotë të makinës, duke këmbëngulur që ta bëjnë atë më të shpejtë, më kompetitive dhe më të pathyeshme”.

Top Channel