Hetimet ndaj Fatmir Mediut/ Kreu i SPAK zbulon nëse ka prova të reja për tragjedinë e Gërdecit, komenton edhe kërcënimet nga bota e krimit

10/05/2021 12:41

SPAK ka rihapur dosjen e Gërdecit dhe i ka kërkuar Gjykatës së Lartë nisjen e gjyqit ndaj Fatmir Mediut për tragjedinë e Gërdecit.

Kreu i SPAK, Arben Kraja ka theksuar se deri tani nuk ka prova të reja por u vendos që të rihapet dosja sepse akuzat ndaj Mediut nuk janë hetuar për shkak të imunitetit parlamentar.

Zamira Durda, e cila humbi djalin 7 vjeç në shpërthimin e Gërdecit ka bërë vazhdimisht kërkesa për drejtësi. Së fundmi ka mundur që përmes SPAK të rihapë hetimet për ish ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu 13 vite vite më pas nga shpërthimi ku humbën jetën 26 persona.

“Është një kërkesë që na erdhi nga familjarët e njërit prej viktimave që kërkoi rihapjen e procesit. Morën kërkesën e rezultoi se prokuroria e përgjithshme e ka çuar për hetim. Një pjesë ka përfunduar dhe hetimi është veçuar. Ndërkohë që pjesa  e gjykimit ndaj ish-ministrit Mediu nuk është shqyrtuar, sepse në atë kohë ka pasur imunitet.

Në situatën e tanishme, pengesa nuk ekziston më mburoja e imunitetit dhe kështu që ne iu drejtuam gjykatës për të rihapur procesin. Pra kemi një rihapje të procesit drejtuar gjykatës që nuk është shqyrtuar dhe nuk është përfunduar. Nëse nga procesi gjyqësor dalin prova të reja atëherë mund të dalim me konkluzione të tjera”, tha Kraja.

Kreu i SPAK, Arben Kraja ka theksuar se korrupsioni është pika më problematike në vendin tonë, por nuk mbetet jashtë edhe tregu informal.

Nga pikëpamja e korrupsionit ka më shumë problematika, por edhe nga tregu informal. Ka shumë informalitet që e bën më të vështirë të hetosh e të mbledhësh prova”, tha Kraja.

Në lidhje me kërcënimet që mund të marrin nga personazhe që janë pjesë e botës së krimit, Kraja tha se janë përzgjedhur për të përballuar çdo presion.

“Prokurorët punojnë me personazhe të ndryshëm, por ne jemi përzgjedhur për të përballuar presionet, kemi kushte shumë të mira pune. Ne kemi bërë një marrëveshje që duhet të jemi në rregull me ligjin dhe standardin që kemi”, u shpreh kreu i SPAK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA