Prej tre ditësh drejtuesit e mjeteve të transportit ndërqytetës dhe rural në qytetin e Peshkopisë protestojnë për të mos u larguar nga vend parkimet aktuale.
Në lidhje me këtë problem ka reaguar Kryebashkiaku aktual i Dibrës, Shkëlqim Murrja.
Sipas tij, për zhvendosjen e stacionimit të mjeteve të transportit publik qoftë për atë ndërqytetës dhe atë rural, ka një vendim të këshillit bashkiak në Tetor të vitit të kaluar. Ai shtoi se bashkia ka bërë një studim të mirëfilltë për këtë problem dhe se vendi më i përshtatshëm është ai tek ish parku pasi plotëson kriteret ku një ndër më kryesori është të jetë 10 mijë metër katror.
Nga ana tjetër, Murrja tha se bashkia do ta ndjekë hap pas hapi zbatimin e kontratës dhe nëse privati nuk zbaton kushtet e kontratës do të merren masa të tjera.
Një ditë më parë drejtuesit e mjeteve u shprehën se tarifa e vendosur ishte 400 lekë të reja në ditë, por në vendimin e këshillit bashkiak, është përcaktuar për mjetet e transportit ndërqytetës 150 lekë dhe për ato të zonave rurale 100 lekë.
Top Channel