Breshëri plumbash në det, rojet libiane hapin zjarr mbi tre peshkarexha italiane

07/05/2021 15:36

“Është një mrekulli që jemi gjallë, na qëlluan papritur, kabina është plot me shenja plumbash”, rrëfeu në një lidhje telefonike Giuseppe Giacalone, kapiteni i njërës prej tre peshkarexhave italiane, të cilat u sulmuan papritur nga rojet bregdetare të Libisë.

Gjithçka sipas tij, ndodhi pa asnjë paralajmërim.

“Po lundronim drejt veri-lindjes kur na u afrua një anije e rojes bregdetare libjane dhe hapi zjarr. Godisnin në lartësinë e njeriut për të na detyruar që të ndalonim”, shpjegoi ai.

“Ishte një ferr i vërtetë. Unë mbeta i plagosur në krah dhe në kokë, sepse xhamat e kabinës shpërthyen nga plumbat e më goditën”, tregon Giacalone. Tjetër variant japin libjanët të cilët thonë se kanë qëlluar vetëm në ajër për paralajmërim, pretendim ky që hidhet poshtë me forcë nga peshkatarët italianë.

Aliseo, anija që u shënjestrua kryesisht, tashmë është larguar nga brigjet e Libisë dhe ndodhet ne ujëra ndërkombëtare. Më herët, edhe peshkarexha italiane «Michele Giacalone», u qëllua me mitraloz nga një tjetër anije e rojeve bregdetare libjane, dhe në atë rast, sekuestrimin e mjetit e kishte shpëtuar vetëm ndërhyrja e fregatës italiane, la Alpino.

Top Channel