Meta i përgjigjet Komisionit të Ligjeve: Nuk mund të vij sot në seancë dëgjimore, ballafaqohemi me 10 Maj

06/05/2021 11:20

Ditën e sotme Komisioni i Ligjeve, ka vendosur që të bëjë mbledhjen e radhës për procedurat e shkarkimit të presidentit Ilir Meta ku i ka bërë thirrje këtij të fundit që të jetë i pranishëm.

Së fundmi Presidenca në një përgjigje për Komisionin e Ligjeve ka thënë se Ilir Meta nuk mund të jetë i pranishëm për shkak të agjendës.

Kreu i shtetit thekson edhe njëherë se është i gatshëm për t`u shprehur në Komisionin e Ligjeve në datën 10 maj.

“Presidenti i Republikës, siç ju është bërë me dije edhe në shkresën tonë nr. prot. 1520/2, datë 5.5.2021, edhe para se ju të shprehnit kërkesën në mënyrë eksplicite, ka shprehur gadishmërinë e tij për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me dhe në Komisionin e Ligjeve.

Sigurisht që agjenda e Presidentit të Republikës, është e paracaktuar, dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi apo mbajtjen e bashkëbisedimit e bashkëdëgjimit me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021.

Kjo datë, 10 maj 2021, përveçse përkon me një ditë të lirë në agjendën e tij, përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Nuk do të kishte një moment më të përshtashëm që një aktivitet i tillë i përbashkët, të zhvillohej në një ditë kaq të rëndësishme për Shqipërinë, që evokon përpjekjet e parreshtura të shtetit shqiptar për shtetin e së drejtës!

Duke ju garantuar se kjo datë e lirë në agjendën e Presidentit nuk përmban asnjë qëllim për t`ju penguar në ushtrimin e misionit të paligjshëm që ju është ngarkuar, ju bëjmë me dije se, Presidenti i Republikës nuk mund të anulojë apo të shmangë agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën tashmë janë të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit”, thuhet në përgjigjen e Metës për Komisionin e Ligjeve.

Përgjigje Komisionit të Ligjeve 6.5.2021

Top Channel