Detaje nga mbledhja e Bashës/ Marku dhe Gjekmarkaj kërkojnë protesta, kreu i PD-së: S’është koha!

04/05/2021 19:47

Pas rreth 2 orëve ka mbaruar mbledhja në selinë blu e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ekipit të PD-së.

Burime i thanë gazetares së Top Channel, Elda Menga se Mark Marku kërkoi të bëhen reagime të forta, duke kërkuar  edhe protesta me arsyetimin se njerëzit duan të dinë çfarë qëndrimi do mbajë PD. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kolegu i tij Agron Gjerkmarkaj.

“Gjëja më e thjeshtë për mua është të thërras protesta. Por po pas kësaj? Jo, sepse nuk është kjo koha. Prioriteti ynë është të vetëdijësojmë njerëzit për masakrën elektorale që edhe protesta të ketë kuptim”, ka thënë Basha.

Basha ka  këmbëngulur tek shpalosja e masakrës elektorale të 25 prillit.

“Ne duhet të bëjmë aleancën më të gjerë me opinionin publik dhe faktorin ndërkombëtar”, ka theksuar Basha.

Basha gjithashtu gjatë fjalës së tij në mbledhje tha se pavarësisht vjedhjes së votave nga partia rivale, PD u bë më e fortë se kurrë në këto zgjedhje.

“Dua të falënderoj secilin nga ju. Ju keni punuar shumë fort me besimin e palëkundur në rrugën tonë, në demokracinë tonë, në vendin tonë. Pavarësisht vjedhjes më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë të kryer nga Rama-Doshi, ne sollëm një arritje të madhe për partinë tonë dhe për vendin tonë. Ne, pa hequr dorë nga vlerat tona, u bëmë më të fortë kudo. Tani do të luftojmë me të gjitha fuqinë tonë deri në fitore. Fushata jonë nuk ka mbaruar, ajo vazhdon me energji maksimale. Unë do takoj njerëzit në terren, për t’i falënderuar, për të biseduar me ta, për t’i dëgjuar, duke ju kërkoj që edhe ju të bëni të njëjtën gjë në ditët në vijim. Së bashku do të fitojmë! Fushata dhe misioni ynë për të sjellë ndryshimin në Shqipëri vazhdon me fuqi maksimale. Pavarësisht vjedhjes më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë, PD u bë më e fortë se kurrë”, tha Basha.

Kandidati për deputet në qarkun e Lezhës në listat e Partisë Demokratike, Mark Marku ka folur për mediat pas mbledhjes që zhvilloi bashkë me kolegët e tij dhe Bashën. Marku tha se ai është dakord që të zhvillohen protesta, gjë të cilën e ka kërkuar edhe gjatë mbledhjes, por që kryedemokrati Basha e ka kundërshtuar.

“Do të jetë një luftë totale. Do të jetë një luftë derisa Rama të largohet nga pushteti. Unë e kam thënë edhe më herët, duhet përdorur çdo gjë e mundshme për të mposhtur një regjim. Aty ku nuk ka zgjedhje të lira, u lind e drejta qytetarëve që të marrin çdo vendim sepse pushteti është ilegjitim. Kryetari e ka deklaruar se nuk do të njohë zgjedhjet e 25 prillit. Ata që kërkojnë dorëheqjen e Bashës janë shërbyer të Ramës. Me dashje pa dashje i shërbejnë atij. Nuk ka rëndësi a janë pjesë apo jo, mund t’i shërbejnë Ramës edhe duke qenë në PD, edhe pa dashje”,  tha Marku.

Në mbledhje mungoi lideri historik i PD-së, Sali Berisha, ndërsa Fatmir Mediu mbërriti në selinë e PD-së pasi mbaroi.

Ditën  sotme nga selia blu, Basha e cilësoi 25 prillin si një masakër elektorale  duke akuzuar me emra konkretë për vjedhje votash, ku në krye ishte kryeministri Edi Rama, pasuar nga Tom Doshi dhe Aqif Rakipi.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 25 prillit ka triumfuar PS duke rrëmbyer 74 mandate, kurse PD arriti të merrte vetëm 59. Grupe “Basha boll” janë riaktivizuar për të rrëzuar nga posti Bashën, duke e fajësuar për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit.

FOTO GALERI
14/16

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA